Bojkoti i procesit mësimor në shkollën fillore “Vëllazërimi” i paralajmëruar për të hënën është anuluar. Prindërit e nxënësve të paraleles në klasën e parë, të cilët për shkak të mungesës së mësimdhënësit, thanë se nëse deri sot Ministria e Arsimit nuk e zgjidh këtë problem, atëherë nxënësit do të bojkotojnë mësimin, kanë informuar sot se kanë tjetër vendim. Njëri prej prindërve, thotë se sipas informatave që ka marrë nga burime të Ministrisë së Arsimit, kjo e fundit ka rënë dakord me komunën që deri të martën ose të mërkurën të zgjidhet problemi dhe nxënësve të kësaj paralele t’u sillet mësimdhënësi.
Ndërkaq, prindërit e nxënësve të hënën kanë mbajtur një protestë para shkollës “Vëllazërimi. Ata u ankuan se që nga viti shkollor nxënësit mësojnë pa mësimdhënës dhe se kanë bërë kërkesa me shkrim edhe me gojë në drejtori dhe në komunë por nuk ka vullnet për zgjidhjen e problemit.
Drejtoresha e shkollës, Jadranka Popovski, fajin ia hedh Ministrisë së Arsimit, pasi thotë se kanë dorëzuar kërkesë për punësimin e një mësimdhënësi por nga atje akoma nuk kanë miratuar mjete për këtë.
Ndërkohë, nga Ministria e Arsimit nuk kanë dhënë përgjigje zyrtare nëse do të zgjidhin çështjen.
Në vitin shkollor 2016-17 në këtë shkollë në klasën e parë në mësimin në gjuhën shqipe janë regjistruar 35 nxënës me çka sipas ligjit për arsim fillor duhet të formohen dy paralele. Megjithatë, edhe pse paralelja është ndarë në dy, njëra paralele e cila ka 14 nxënës që nga fillimi i vitit ka mbetur pa mësimdhënës.