Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur shqetësim për mosrespektimin sistematik të gjuhës shqipe në faqet zyrtare të ministrive të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Sipas integristëve, mungesa e përmbajtjeve në gjuhën shqipe në Ministrinë e Energjetikës, të Transportit, të Punëve të Brendshme dhe në institucione të tjera përbën jo vetëm shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por edhe përjashtim të qëllimshëm të qytetarëve shqiptarë nga qasja në informatat publike. BDI thekson se barazia gjuhësore nuk është privilegj por është e drejtë.
BDI
“Në disa raste, janë ruajtur vetëm formatet e vjetra në gjuhën shqipe, të mbetura nga qeveria paraprake, por përmbajtjet konkrete, dokumentet dhe informacionet kryesore figurojnë ekskluzivisht në maqedonisht. Ky është një trend i rrezikshëm që shkon përtej neglizhencës teknike – është politikë institucionale që kufizon përdorimin praktik të gjuhës shqipe dhe rrënon bazat e barazisë ndëretnike në shtet”.
BDI rikujton se këto zhvillime vijnë në një moment kur bëhen përpjekje për të vënë në pikëpyetje vetë dispozitat kryesore të Ligjit për Gjuhët në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tyre heshtja e VLEN-it legjitimon qasjen e qeverisë ndaj gjuhës shqipe.
BDI
“Ndërsa ndodhin këto procese të rënda, partnerët shqiptarë në qeveri janë zhytur në grindje të brendshme për kryetar të LEN-it edhe pse secili me nga më pak se 1% mbështetje te qytetarët, dhe heshtin përballë kësaj goditjeje ndaj të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Me këtë heshtje, ata jo vetëm që e legjitimojnë këtë qasje, por janë bërë pjesë e problemit”.
BDI i bën thirrje institucioneve të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën, të ndalojnë diskriminimin gjuhësor dhe të reflektojnë për pasojat e këtij kursi.
Një ditë më parë TV Shenja informoi për mospërdorimin e gjuhës shqipe nëpër ueb faqet e ministrive.
Mevludin Imeri /SHENJA/