Pasi Prokuroria të premten informoi se janë ndërprerë hetimet për 9 persona, në mesin e tyre dy ish ministra të Ekonomisë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Bekim Neziri dhe Driton Kuqi, për shkak të provave të pamjaftueshme, ndërsa për dy ish ministrat tjerë të ekonomisë, kuadër poashtu të BDI-së, Valon Saraçini dhe Kreshnik Bekteshi, Prokuroria vendosi të vazhdojë procedurën e hetimit. Ky vendim ka bërë që sot të reagoi pikërisht partia e këtyreve ish zyrtareve që kanë udhëhequr ekonominë.
Nga partia e Ahmetit theksojnë se Prokuroria Themelore Publike është plotësisht e kapur. Sipas BDI-së, kjo drejtësi selektive dhe veprim i qartë me motive politike përfaqëson edhe një dëshmi tjetër se prokuroria jo vetëm që e ka humbur pavarësinë e saj, por ata potencojnë se është shndërruar në një instrument për përndjekje politike dhe inxhiniering zgjedhor.
BDI
“Prokuroria e ka humbur plotësisht besueshmërinë e saj duke mbrojtur funksionarët e Qeverisë, ndërkohë që bashkëpunon me qendra joformale të pushtetit për të montuar raste kundër ish-ministrave dhe kundërshtarëve politikë. Prokuroria Publike, me këtë vendim, zyrtarisht është deklaruar e kapur”.
Nga atje thojnë se BDI do të ndërmarrë të gjitha hapat demokratikë dhe politikë për të mbrojtur zërin e shqiptarëve, integritetin e procesit zgjedhor dhe parimet e drejtësisë dhe shtetit ligjor.
Opozitarja bën thirrje për një reagim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht siç thonë, nga institucionet që ndjekin reformën e sistemit të drejtësisë, që të mos heshtin përballë abuzimit të dukshëm të institucioneve për qëllime politike.
Samir Mustafa /SHENJA/