Bashkimi Demokratik për Integrim dënon kërkesën e kryeministrit Hristijan Mickoski për dorëheqjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu, për shkak të rezistencës së tij ndaj përpjekjeve të gjykatës për të zbatuar urdhra partiake.
BDI
“Në vend që të reagojë ndaj sjelljes skandaloze të kryetarit të gjykatës, i cili publikisht ka pranuar se qëllimisht nuk e zbaton Ligjin për Gjuhët, sepse ‘nuk i pëlqen’, kryeministri vazhdoi të ushtrojë presion mbi gjykatën për të realizuar iniciativën partiake”.
BDI i bën thirrje kryeministrit që të ndalojë instrumentalizimin e gjykatës dhe të tërheqë menjëherë iniciativën për kontestimin e ligjit. “Shteti i së drejtës nuk ndërtohet me presion politik mbi institucionet e pavarura”, thekson BDI.
Kryeministri Hristian Mickoski tha për TV 21 se Kadriu nuk ka vend në Gjykatën Kushtetuese. Ai kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të gjykatësit të Kushtetutës Osman Kadriu.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Me gjithë respektin për njerëzit e këtij profesioni, disa prej tyre nuk i kanë justifikuar pritshmëritë e qytetarëve nga ky profesion. Po ashtu, që një gjykatësr kushtetues të thotë atë që tha, lidhur me kauzën shqiptare dhe gjëra të ngjashme, ai nuk ka vend aty, më falni, por ai nuk ka vend aty. Ai mund të japë të tilla deklarata në një vend tjetër. Duhet menjëherë të japë dorëheqjen, sepse ai merr rrogë nga qytetarët”.
Gjykatësi i Kushtetueses Osman Kadriu, së bashku me gjykatësin e dytë kushtetues shqiptar, Naser Ajdari, javën e kaluar bojkotuan seancën e Gjykatës Kushtetuese, në të cilën pritej të merrej vendimi për kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Pas shtyrjes së vendimit, gjykatësi Kadriu njoftoi gjithashtu se ai dhe Ajdari nuk do të marrin pjesë as në seancën përgatitore për ligjin, që pritet të mbahet në mars të vitit të ardhshëm. /SHENJA/