Rusia i mbron VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në pasi vetëm një koalicion mes këtyre dy partive, mbron interesat ruse në Maqedoni si dhe realizon planet ruse në përgjithësi në Ballkan, thonë analistët politik, duke komentuar reagimet e fundit të ambasadës ruse. Sipas Isen Saliut, koalicioni VMRO-BDI deri më tani ka penguar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me çka drejtpërdrejt kanë punuar në drejtim të interesave ruse.
“VMRO dhe BDI aq vite sa janë bashkë në pushtet, kanë punuar mjaft që procesi I anëtarësimit të Maqedonisë në NATO po ashtu edhe BE të ngec, duke bërë një politikë provokuese, emërtime provokuese, ndërtime të përmendoreve provokuese me të cilat I ka dhënë argumente shtesë Athinës që të mos zgjidhet çështja e emrit, çështje e cila është e ndërlidhur me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, thotë gazetari Isen Saliu.
Në një vijë me të është edhe analisti Xhelal Neziri, i cili thotë se kjo mbështetje për Gruevskin dhe Ahmetin do të vazhdojë edhe gjatë periudhës në vazhdim. Çdo koalicion tjetër, sipas Nezirit, do të prishte planet e Rusisë në Maqedoni dhe do të çonte vendin drejt integrimeve euro-atlantike.
“Ajo që duket qartë në këtë rast është se Rusia dëshiron që bashkë këtyre zgjedhjeve të kemi një vazhdim të qeverisjes së mëparshme, me të cilën normalisht që kishte raporte miqësore, raporte të mira të cilat nuk janë të garantuara nëse do të kishim një ndryshim të strukturës qeveritare. Dhe përkrahja për atë koalicon të përbërë mes VMRO-së dhe BDi-së është në vijë të interesave të tyre në rajon dhhe veçanërisht në Maqedoni”, thotë analisti Xhelal Neziri.
Ditë më parë, ambasada e Rusisë ka lëshuar dy reagime në të cilat haptazi mbronte Nikolla Gruevskin dhe Ali Ahmetin, ndërsa bënte thirrje që Perëndimi dhe Shqipëria të mos ndërhyjnë në formimin e Qeverisë në Maqedoni dhe në raportet e partnerëve të deritanishëm.
Arben Zeqiri /SHENJA/