Deklarata e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese se vendimi për Ligjin e Gjuhëve mund të merret pas zgjedhjeve lokale, ka ndezur reagime në skenën politike shqiptare. Sipas BDI-së, zërat që prej kohësh flisnin për një marrëveshje mes Qeverisë dhe Gjykatës për ta rrëzuar ligjin pas zgjedhjeve, thonë se tashmë po marrin formën e faktit të kryer.
BDI
“Paralajmërimi se vendimi për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve do të merret pas zgjedhjeve nuk është rastësi, por pjesë e një plani të mirëorkestruar për të ruajtur përkohësisht projektin e tyre politik te shqiptarët me kuazipërfaqësues pa legjitimitet, e që më pas për të goditur të gjitha arritjet e fituara përmes Marrëveshjes së Ohrit”.
Ndërsa nga VLEN ju përgjigjën duke thënë se plani i Ali Ahmetit dhe Bujar Osmanit, përmes gjykatësve të emëruar prej tyre në Gjykatën Kushtetuese, për ta rrezikuar gjuhën shqipe në RMV dhe për ta destabilizuar vendin, sipas tyre dështoi para se të merrte hov.
VELN
“Mos u shqetësoni: Gjuha shqipe nuk negociohet! VLEN nuk do ta lejojë asnjë hap prapa në të drejtat e shqiptarëve! Mashtrimet kanë marrë fund. Për dy dekada, BDI i ka bërë gjërat në mënyrë gjysmake, për sy e faqe, duke hedhur hi syve të opinionit shqiptar dhe duke e përdorur çështjen kombëtare për pazare personale e partiake”.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski një ditë më parë tha se për shkak të tragjedisë në Koçan, Gjykata e shtyu seancën që duhej të mbahej në muajin mars dhe vlerësimi i tij tha është që vendim për këtë çështje nga Gjykata Kushtetuese do të ketë pas zgjedhjeve lokale. Seanca përgatitore për Ligjin për Gjuhët është planifikuar për 19 qershor.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/