Pas shtrenjtimit të së enjtes të derivateve të naftës, Komisioni Rregullator i Energjetikës ka njoftuar sot se, pas mesnatës, do të ketë sërish rritje të çmimeve, me çka çmimi i naftës ka shkuar në 72 denarë, ndërkaq çmimi i benzinave në 76, përkatësisht 78 denarë për litër. Siç ka sqaruar edhe kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski, rritja e çmimeve është pasojë direkte e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit. Eksperti i Ekonomisë, Abil Baush tha për TV Shenja se, mungesa e politikaveafatmesme dhe afatgjata e bën ekonominë e vendit fragjile ndaj konflikteve të këtilla që ndodhin, sidomos në vendet që janë eksportues të naftës. Ndërsa, pasojat pritet të jenë edhe më të mëdha, në rast se kemi vazhdim të konfliktit.
Abil Baush, Ekonomist
“Kemi dy momente këtu, është rritja e çmimit të naftës dhe rritjes së inflacionit në vendin tonë. Momenti i parë është po, ekonomia është shumë e ndijshme sa që reagon çdo konflikt që ndodhë në botë e sidomos në vendet të cilat janë eksportues më të mëdhenjë të derivateve të naftës. Do të thotë ai regjion, në momentin që duket se është në konflikt, atëherë patjetër do të kemi lëvizje të çmimit të naftës. Por kjo është një gjë e cila është një pjesë e jashtme e ekonomisë dhe nëse vazhdon tutje ende do të kemi pasoja në rritjen e çmimeve, për arsye se prishet furnizimi apo marrja e derivateve më shpejtë”.
Por më brengosëse sipas tij, është pjesa e brendshme e ekonomisë së vendit, sepse ne kemi filluar të gjenerojmë inflacion vetvetiu dhe ky konfilkti i jashtëm që vjen në vendin tonë do ta vështirësojë edhe më shumë këtë pjesën e rritjes së çmimeve.
Abil Baush, Ekonomist
“Nëse konflikti nuk zgjerohet, nëse nuk ka një lloj zgjerimi në territoret e veta, ose nëse nuk ka ndonjë eksplozivitet më të madh që të inkuadrojë edhe vende të tjera mendoj se do të arrijmë një stabilitet të çmimeve të derivateve të naftës, por nuk do të jetë i ulët ky stabilitet. Ky stabilitet do të duhet të paguhet për arsye se pikërisht këto lëvizje që ndodhin në tregun, ato do të fillojnë ta nxisin edhe rritjen e çmimeve, sidomos në sektorin e energjetikës”.
Baush rekomandon që vendi të fillojë të krijojë politika afatmesme dhe afatgjata në mënyrë që, kur të ketë konflikte të këtilla, amortizimi i këtyre krizave të jetë më i vogël në ekonominë tonë.
Teuta Buçi /SHENJA/