Vetitë shëruese të banjës së Tetovës mbledhin shumë vizitorë. Por me të arritur në destinacionin e paraparë , ata hasin në pamje dëshpëruese. Mbeturina që kundërmojnë rënd, e papastërtia që e shohin gjithandej i detyron hallexhinjtë të kthehen në shtëpi, pa kryer terapinë e duhur që ua kanë rekomanduar mjekët. Vizitorët e kësaj banje thonë se mëkati më i madh që institucionet dhe kryesisht komuna i ka bërë këtij vendi, është mosinteresimi dhe mosinvestimi në këtë vend që jo çdokush e viziton nga dëshira.
”Pas dorë është lënë, s’ka interesim, as prej komunave, as prej shtetit, as prej individëve që vijnë si ne që të formohet ndonjë grup për ta rregullu sadopak të paktën të jetë pastërt”, tha një qytetar.
Madje ka nga ata që ironizojnë kryetaren duke thënë se zonja e parë ka punuar mjaft në pastërtinë e këtij vendi .
“Nuk është investu për këtë ujë, këndej ,ka pastërti ja si e shifni ju”, deklaroi një qytetar.
”Ky uji është i pastër, ama kush ta mbaje, të punoje, ta kemi . Ndërkohë vijnë prej çdokund mbushin ujë me shishe për sëmundje, mirëpo nuk kemi njerëz që të punojnë. E mora nji shishe ta mbush me ujë për pije po s’ke ku ta mbushësh krejt mbeturina, papastërti . A me këto pamje mbrohet shteti , nëse unë do të isha kryetarë, nëse s’e kisha pastru të tërën s’do isha asgjë”, u shpreh një qytetare.
Investimi i fundit në këtë banjë ka qenë në kohën kur Tetova ka qenë e pushtuar nga Italianët, por vërshimet e vitit 2015 e shkatërruan komplet këtë banjë.
Hava Tahiri /SHENJA/

