Avokati i Popullit u ka bërë thirrje partive politike që të mos i shfrytëzojnë fëmijët në fushatën zgjedhore. Ai nëpërmjet një komunikate thotë se përfshirja e fëmijëve aktivitete politike është një formë e papranueshme e instrumentalizimit të fëmijës dhe shkelje e dinjitetit të tyre dhe e së drejtës së mbrojtjes nga ndikimi politik.
AVOKATI I POPULLIT
“Avokati i Popullit, si organ që mbron të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve, nëpërmjet Departamentit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Personave me Aftësi të Kufizuara, u kujton pjesëmarrësve në Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 se përfshirja e fëmijëve në çdo aktivitet politik është një formë e papranueshme e instrumentalizimit të fëmijës dhe shkelje e dinjitetit të tyre dhe e së drejtës së mbrojtjes nga ndikimi politik, e garantuar nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve, si dhe Kodi Zgjedhor, i cili përcakton se pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore janë të detyruar të veprojnë në përputhje me parimet e sjelljes etike dhe të përgjegjshme”.
Avokati i Popullit thekson se fëmijët nuk mund të shfrytëzohen për të promovuar parti politike, kandidatë ose programe, e as nuk mund të shfaqen në video, paraqitje publike ose materiale promovuese në kontekstin e një fushate.
AVOKATI I POPULLIT
“Në këtë drejtim, Avokati i Popullit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në procesin zgjedhor që të përmbahen nga çdo prani ose paraqitje e fëmijëve në fushatat e tyre. Avokati i Popullit i inkurajon prindërit dhe publikun që t’i raportojnë rastet e tilla tek Avokati i Popullit ose autoritetet kompetente, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të fëmijëve”.
Në komunikatë thekoshet se shkelja e këtyre të drejtave mund të raportohet në linjën telefonike pa pagesë. “Lufta politike midis të rriturve nuk duhet të zhvillohet përmes fëmijëve”, thuhet në komunikatën nga Avokati i Popullit.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/