Me temperaturat që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius gjatë ditëve në vijim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë blerjes, transportimit, ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimit, për të shmangur helmimet ushqimore.
Sipas AUV-së, temperaturat e larta krijojnë kushte të favorshme për shumimin e baktereve në ushqim, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin e konsumatorëve. Prandaj, agjencia rekomandon që ushqimet të blihen vetëm në pika të verifikuara të shitjes, ku produktet, veçanërisht ato me origjinë shtazore, ruhen në kushte të përshtatshme në frigorifer.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë
“Të shmanget blerja e ushqimeve me ambalazh të dëmtuar (të shtypur, të fryrë ose të çarë). Duhet të shmanget blerja e ushqimeve të ftohura ose të ngrira që prishen lehtë, nëse ato ruhen jashtë frigoriferit ose ngrirësit. Ushqimet e ftohura duhet të ruhen në temperaturë më të ulët se 5°C, ndërsa ushqimet që kërkojnë gatim termik duhet të përpunohen në temperaturë mbi 60°C. Frutat dhe perimet duhet të lahen mirë nën ujë të rrjedhshëm para përdorimit, ndërsa mishi, qumështi dhe vezët duhet t’i nënshtrohen përpunimit të plotë termik”.
Agjencia rikujton se produktet që prishen shpejt, si mishi, qumështi dhe vezët, nuk duhet të lihen për periudha të gjata në automjete ose të ekspozohen ndaj temperaturave të larta, pasi kjo rrit rrezikun e zhvillimit të mikroorganizmave të dëmshëm.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka paralajmëruar se, nën ndikimin e një vale të nxehti, deri në fund të javës së ardhshme moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë. Veçanërisht nxehtë do të jetë nga e mërkura, kur në disa vende temperatura ditore do të kalojë 40°C. /SHENJA/



