Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë ndryshe nga të gjitha që i kemi pasur deri më tani. Do të ketë monitorim më të fortë vendor dhe ndërkombëtar, nuk do të ketë shumë hapësirë për shantazhe ose kërcënime dhe do ketë terren të lirë për të bërë përzgjedhje sipas bindjes së qytetarit pasi tashmë janë krijuar kushtet si me opsione të reja ashtu edhe me sigurinë e qytetarëve për të dalë masovikisht dhe për të votuar. Këto qëndrimet e analistëve Ismet Ramadani dhe Petar Arsovski të cilët thonë se votuesit të dielën duhet të dalin dhe të votojn e të mos lejojnë që vota e tyre të keqpërdoret.
“Monitoringu do të jetë shumë intensiv. Faktori ndërkombëtar është i involvuar me të gjitha mekanizmat që i ka në dispozicion për monitorimin e zgjedhjeve. Brenda organizatave joqeveritare kemi poashtu një organizim të mirë për monitorim. Qytetarët duhet të dalin masovikisht në zgjedhje pasi nuk ka fare vend për frikë. Është pothuajse e sigurtë se askush nuk do ti përdorë shantazhimet dhe kërcënimet në masë si dikur, prandaj qytetari do të jetë i lirë për ta dhënë votën e vetë”, tha analist politik, Ismet Ramadani.
“Un besoj se procesi zgjedhor do të kalojë në atmosferë relativisht të qetë pa aincidente por pres ashpërsim të retorikës zgjedhore. Në Maqedoni asnjëherë keqpërdorimet nuk janë bërë ditën e zgjedhjeve por çështja është se a është ndarë shteti nga partia dhe a është manipuluar ose blerë vota më herët para zgjedhjeve”, tha analisti politik, Petar Arsovski.
Sipas Ismet Ramadanit, në këto zgjedhje është interesante oferta dhe fuqia e partive opozitare të cilat kanë platforma dhe oferta të pasura dhe janë një alternativë e mirë për qytetarët e dëshpëruar nga politikat e deritanishme të partive parlamentare. Arsovski vlerëson se do ketë dalje masive në zgjedhje pasi kjo është dëshmuar me shumë anketa të deritanishme.
“Ajo që është më e rëndësishme është se opozita hyn më e fortë në këto zgjedhje se në zgjedhjet e kaluara që do të thotë se partitë në pushtet detyrimisht do të jenë më të kujdesshme dhe deri në fund nuk mund ti përdorin instrumentet qeveritare që i kanë në dispozicion sepse ka kush i përcjell, ka menkanizma edhe të sanksionimit të të gjithë atyre që tentojnë ti prishin zgjedhjet”, thekson Ramadani.
“Sipas të gjitha anketave duket se dalja në zgjedhje do të jetë e madhe dhe besoj se që qytetarët do të japin votën e tyre aty ku dojnë.Në bllokun shqiptar ka shumë parti opozitare prandaj në këtë bllok do të jetë interesant të përcillet se çfarë do të ndodhë”, thekson Arsovski.
Qytetarët e Maqedonisë do të votojnë këtë të diel për një prej 12 partive që garojnë për ulëse në Kuvend. Prej tyre pesë janë parti shqiptare, BDI, PDSH, Koalicionet Rilindje me Besë dhe Aleanca për shqiptarët dhe Partia për Prosperitet Demokratik.