Në një konferencë për media lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski ka thënë se partia e tij së shpejti do të rikthehet në pushtet. Gruevski po ashtu ka thënë se në periudhën e kaluar është punuar shumë që partia që drejton ai të paraqitet si armik i shqiptarëve, megjithatë sipas tij koha do ta dëshmoj të kundërtën.
“VMRO dhe unë si lider i partisë kemi sjellë shumë investitor në Maqedoninë perëndimore. Njerëz shqiptarë që ishin pa punë u punësuan. Kemi ndërtuar rrugë, kanalizime në lindje poashtu edhe në Maqedoninë perëndimore. Shqiptarët do ta mësojnë se kush është Zaevi, maqedonasit e dinë, dhe jo rastësisht pas sulmeve të shumta ata vendosën që shumicën të na e besojnë neve”, ka deklaruar Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Gruevski po ashtu ka thënë se nuk ndihet fajtor për akuzat e ngarkuara nga Prokuroria Speciale. Duke folur për kryeministrin e tanishëm Zoran Zaev, Gruevski thotë se shqiptarët kanë vendosur që vetë ta provojnë Zaevin, duke shtuar se koha do të dëshmojë se kanë sjellë vendim të gabuar. Pas kësaj deklarate të kreut të VMRO-së, kanë reaguar nga LSDM përmes një komunikate me shkrim duke thënë se VMRO dhe Gruevski asnjëherë nuk kanë menduar për të mirën e qytetarëve, nuk janë kujdesëur për hallet e tyre, por për përmbushjen e interesave të tyre personale.
“Në vend që të merret me atë se çfarë u ka bërë qytetarëve të këtij vendi viteve të kaluara, Nikolla Gruevski vazhdon me sjelljen e tij destruktive dhe pa turp pranoi se ka dashur të blej edhe disa Mercedese 600.000 euroshe, me parat e qytetarëve. Gruevski ka pranuar se ka dashur të blej së paku edhe tre apo katër vetura të shtrenjta, me siguri me të njëjtën mënyrë si e ka blerë mercedesin, fshehurazi dhe larg syve të opinionit. Pranimi i këtillë vërteton se ai as nuk ka menduar për nevojat e qytetarëve, por ka punuar për përmbushjen e dëshirave dhe nevojave të tija personale”, kanë reaguar nga LSDM.
Nga LSDM gjithashtu shtojnë se për veprimet e këtilla të Gruevskit, qytetarët e kanë dënuar me mos votimin e partisë së tij, sepse ata kanë dashur ndryshime dhe se gjithë deklaratat e tanishme janë vetëm arsyetime.
Emine Ismaili
Akuza të ndërsjellta mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së by tvshenjaofficial

