Një person humbi jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor pasditen e sotme në superstradën Fushë-Krujë – Milot, në afërsi të Thumanës.
Siç shihet edhe nga pamjet nga vendngjarja, mjetet e përfshira në përplasje janë dëmtuar thuajse plotësisht. Automjeti tip “Volkswagen Passat”, i drejtuar nga shtetasi Ndrecë Ruci është ndarë në dy pjesë, ndërsa “Mercedes”-i i drejtuar nga Radvan Maja, është shkatërruar totalisht në pjesën e përparme.
Si pasojë e përplasjes së fortë, Ndrecë Ruci, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Ndërkohë, pasagjerja që udhëtonte me të, Tereze Laska, ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Gjithashtu, e lënduar ka mbetur edhe një grua, e cila ndodhej në ambientet e biznesit të saj pranë vendit të ngjarjes. Ajo është goditur nga pjesë të shkëputura të automjetit “Passat” dhe është dërguar menjëherë për mjekim.
Burime paraprake bëjnë me dije se dyshohet që shkak i aksidentit të ketë qenë një manovër e gabuar parakalimi nga ana e Ndrecë Rucit, si dhe shpejtësia e lartë e Radvan Majës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të aksidentit.


