Fjalimi i Afrim Gashit, kryetar i Alternativa mbrëmë në Kuvendin Themelues të Rinisë së Alternativa:
Momentin e parë që e pash këtë vend përplot me të ri mu kujtua një thënie e një novelisti amerikan Teodor Drajzer i cili ka thënë: “Njeriut nuk i vjen keq pse është plak, por pse nuk është më i ri.”
Kur e shoh sonte këtë rini, përveç gëzimit e ngazëllimit, më kap edhe nostalgjia, sepse përmes jush e kuptoj se po shkoj drejt pensionimit. Kur hyra në këtë sallë të stërmbushur me të rinj, e pyeta veten “Çka kërkoj unë këtu? Këta të rinj e paskan kryer punën”.
Shumë të dashur të rinj e të reja, shumë i respektuari kryetar i porsazgjedhur i Forumit të Rinisë së Alternativës, Afan Elezi, ministër i respektuar, nënkryetarë të partisë, kolegë të Kryesisë e të Kuvendit Qendror, do ju kërkoj ndjesë që sonte nuk do të mbaj ndonjë fjalim klasik politik për t’ju folur për tema të mëdha, sepse dua që sonte dhe nga ky vend i mbushur me vrull rinor të flas si me njerëzit që meritojnë të bisedojmë në mënyrën më vëllazërore, më të sinqertë dhe më të përzemërt. Dua sonte t’i hapim zemrat dhe të flasim përmes tyre.
Më lejoni që në fillim Afanit t’ia uroj detyrën e re dhe t’i dëshiroj punë të mbarë, ta falënderoj po ashtu edhe Daimin, që me aq përkushtim e dinjitet e ka kryer këtë detyrë deri tash, ta falënderoj edhe Zejdin, Bekimin e Fatonin, për ndihmën që e kanë dhënë në riorganizimin e Forumit të Rinisë, ndërsa të gjithë juve të rinjve që sonte jeni në këtë sallë, duke ju falënderuar dhe inkurajuar për këtë kauzë, t’ju them se vërtet ju xhelozoj që nuk jam si ju.
Shumë të dashur të rinj, para një jave janë bërë gjashtë vjet qëkur një mbrëmje, derisa e ndiqja maskaradën që bëhej me vendosjen e përmendores së Car Dushanit në sheshin e Shkupit, vendosa të dal të protestoj vet te ura ku e kishin vendosur dhe të pyes kush e ka vendosur. M’u bashkuan aty edhe dy-tre shokë, mes të cilëve Zeka, dhe disa të tjerë që sot nuk janë në politikë, por që janë në kauzën tonë dhe kur dola aty as që e kisha menduar ndonjëherë se aty po fillonte angazhimi im dhe angazhimi ynë politik. Ishim 4-5 njerëz që po i dilnim përballë një regjimi të fuqishëm që atëbotë vriste e priste dhe derdhte miliona për projektet e tij. Por, shkëndija e asaj proteste e ndezi më 2014 lindjen e partisë politike, që për më pak se një vit i organizoi dy protesta me dhjetëra mijë njerëz, që e bëri një konventë zgjedhore që ende përflitet në opinion, që më 2016 i fitoi 60 mijë vota dhe që më 2017 i detyroi të bashkohen krejt shërbimet, partitë e policitë që ta ndalin hovin tonë.
Dhe, kur ata menduan se kanë përfunduar me ne, sepse i gjetën ca konformistë që bënë pazar me shpirtin e tyre, buzëqeshja e tyre u thartua. Kjo sallë sonte dëshmon se le që nuk na kanë dëmtuar, por unë po ua them me përgjegjësinë më të madhe se kurrë asnjëherë ne si parti, as në kohën tonë më të mirë, nuk i kemi pasur 1000 të rinj. Prandaj, le ta dinë të gjithë se në zgjedhjet e ardhshme ne po vijmë më të fortë se më 2016 dhe më të bashkuar se më 2017.
Ju kujtohet se në përfundim të ditës së zgjedhjeve të 2017-tës e pata bërë një postim: “Nuk mund ta fitosh njeriun që nuk dorëzohet”. Prandaj, le ta dinë mirë se edhe po të na rrëzojnë 100 herë, ne përsëri do të ngrihemi ta bëjmë betejën e 101-të.
Rini e dashur, unë jam këtu që t’ju them se udha që kemi përpara do të jetë e gjatë… Do të ketë shpesh veprime të qëlluara dhe gjëra të gabuara. Do të ketë shumë njerëz që nuk do të pajtohen me ne, por do të ketë edhe shumë të tjerë që do të pendohen pse nuk na kanë mbështetur dhe do të vijnë të na kërkojnë falje e ne do ua falim. Do të ketë edhe shumë njerëz të tjerë që nuk do të pajtohen me vendimet tona, por ne e dimë se asnjë pjesëmarrje në qeveri nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet, nevojat dhe hallet që i kemi.
Por, për një gjë mund t’ju garantoj: do të mbetemi gjithnjë të ndershëm dhe korrektë para jush, siç edhe kemi qenë deri tani, përballë sfidave që na presin. Andaj, mbi të gjitha do t’ju kërkoj ta ruani mirëbesimin mes vete dhe të punojmë bashkërisht për t’i dëshmuar këtij populli se alternativa e vetme e suksesit është pikërisht Alternativa jonë.
Kjo është edhe arsyeja që sonte dua t’ju bëjmë thirrje për një frymë të re të patriotizmit, frymës së shërbimit dhe përgjegjësisë, ku secili prej nesh merr një pjesë të përgjegjësisë që të punojë më shumë duke u kujdesur jo për vetveten sa për fatin e tjetrit.
Rini e dashur, ky është shansi juaj, ky është momenti juaj, kjo është koha juaj. Është koha e fundit që bashkë me ju ta kthejmë shpresën se edhe këtu mund të bëhet më mirë. Ne e kemi detyrim historik ta bëjmë këtë dhe ta ripohojmë të vërtetën themelore se të gjithë ne jemi një dhe se deri në frymën e fundit ne shpresojmë dhe luftojmë. Madje, edhe kur të ndeshemi me cinizmin e me dyshimin e atyre që rrinë anash dhe flasin, me ata që na thonë se ne nuk mundemi, ne do t’u përgjigjemi me vullnetin e përjetshëm, që e ngre peshë shpirtin e një populli të tërë se “Po, ne mundemi dhe do ta bëjmë këtë ndryshim”.
Në të vërtetë, është detyrimi i joni që ta bëjmë të mundur që ju sot dhe fëmijët tuaj nesër të jetojnë në një vend me paqe e mirëqenie ekonomike.
Është detyrimi i joni që ta bëjmë këtë vend më tepër se kurrë tokën e mundësive të plota për çdo shqiptar dhe për çdo qytetar.
Është detyrimi i joni që të krijojmë vende pune për secilin që dëshiron të punojë dhe të mundësojmë ndihmë bujare për të gjithë ata që nuk mund të punojnë dhe që nuk mund të gjejnë punë.
Është detyrimi i joni që të krijojmë një klimë të mirësjelljes dhe qytetarisë, në të cilën secili person do t’i respektojë ndjenjat, dinjitetin dhe të drejtat e tjetrit.
Është detyrimi i joni që ta bëjmë këtë vend një tokë ku çdo person mund të guxojë të ëndërrojë dhe të mund t’i jetojë ëndrrat e tij jo me frikë, por me shpresë, të jetë krenar që është shqiptar, të jetë krenar me vatrën e vet dhe të jetë krenar me të kaluarën e vet.
Këto janë synime të larta, që unë besoj se do t’i arrijmë vetëm nëse jemi bashkë dhe vetëm nëse jemi të angazhuar si sonte këtu.
Të dashur të rinj,
Nëse ka diçka që më shtyn ta mbaj gjallë këtë kauzë dhe që më trondit me përgjegjësi, është pikërisht shpresa dhe pritja juaj. Duke dashur të jemi argat i juaji, duke qenë i lumtur që mund t’ju shërbejë juve, ju premtoj se do të jemi bashkë e të pandalur deri në frymën e fundit për jetësimin e këtij ideali. Sepse çështja jonë nuk është vetëm partia jonë. Këtu po flasim për ekzistencën e mëtejshme të një kauze, të një ideali, të një populli.
Shumë të dashur të rinj, para se të përfundoj, më lejoni t’ju flas pak me një shkrim që e kam botuar më 2011 e që sot m’u kujtua derisa po e përgatitesha për këtë fjalim. Atëbotë i shkruaja studentit, ndërsa sonte po ju drejtohem juve: “Ti, përveç që je krenari dhe shpresë e familjes tënde, ti gjithashtu je krenaria dhe shpresa për një të ardhme më të mirë për mbarë shoqërinë. Ty ndoshta të duket se je i pafuqishëm, por ajo është një përshtypje që shumë shpejt mund ta ndryshosh. Individualisht ju jeni vërtet të dobët, por bashkohuni nën emrin e “të riut” dhe do ta shihni se çdo kërkesë e juaja do të realizohet shumë shpejt. Do e shihni se si do ju bashkëngjiten edhe shumë të rinj tjerë dhe pastaj ju do të vazhdoni rrugën drejt parlamenteve e qeverive të këtyre shteteve dhe mund të bëni çudira për popullin tuaj.”
I ka bërë 8 vjet ky tekst, por mesazhi i tij është ende aktual.
Krejt në fund dua që duartrokitjet e fundit të jenë një përkushtim dhe lutje për dy personalitete që e kanë ndihmuar kauzën tonë pa kursyer asgjë nga jeta e tyre dhe që sot nuk janë mënë mesin tonë, ata janë Sead Ajruli dhe Shaban Zendeli.
Zoti i shpërbleftë ata me Xhenetet me të larta ndërsa juve Zoti ju bekoftë e ju dhashtë gjitha të mirat!