Aleanca Kombëtare për Integrim është fituese e zgjedhjeve lokale. Kështu ka deklaruar nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, në emisionin “Debat në SHENJA”. Ai tha se ky koalicion ka rikonfirmuar legjitimitetin e saj në të gjitha ciklet e fundit zgjedhore.
ARBËR ADEMI, NËNKRYETAR I BDI-SË
“Ne për më pak se 1 vit e gjysëm, patëm 3 cikle të ndryshme zgjedhore, zjedhje presidenciale, parlamentare dhe lokale, pra para një jave raundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe në të trija ciklet rikonfirmohet legjitimiteti i AKI-së. Konkretisht, në qofse i shofim rezultatet në rrafshë kombëtar në listat partiake aty ku maten realisht partitë politike, në listat për këshilltarë, Aleanca Kombëtare për Integrim ka më tepër se 23 mijë vota” .
Ademi, i cili ishte i ftuar edhe në cilësin e përfaqësuesit të AKI-s, bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend, pasi sipas tij, vota e qytetarëve është ajo që duhet të përcaktojë përbërjen e qeverisë dhe jo marrëveshjet politike pas zgjedhjeve.
ARBËR ADEMI, NËNKRYETAR I BDI-SË
“Shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, jo bre BDI-ja, por fituesi le të jetë në Qeveri. Edhe këta nëse mendojnë se fitojnë, le të hyjnë si fitues në qeveri. Se është edhe një epërsi psikologjike – kur vota përcakton ulësen tënde në Qeveri, ti mban llogari për qytetarin, jo për kryeministrin”.
Ademi theksoi se kërkesa për zgjedhje të parakohshme vjen si nevojë për të rikthyer legjitimitetin politik dhe për të reflektuar vullnetin real të qytetarëve në përbërjen e institucioneve qeverisëse. Ai gjithashtu bëri të ditur se do t’i japin mbështetje të plotë kandidatit të VLEN-it për Komunën e Bërvenicës, Haqim Ramadanin, i cili është në balotazh me kandidatin e VMRO-DPMNE-së.
Samir Mustafa /SHENJA/


