Zgjedhjet e ardhshme lokale ka shumë gjasa që të organizohen nga Qeveria aktuale e cila është me mandate të kufizuar teknik. Kjo mund të ndodhë për shkak të heqjes së afateve për marrjen e mandatit dhe formimin e Qeverisë. Sipas një skenari të ri I cili ka filluar ditëve të fundit të qarkullojë nëpër koloaret partiake, partitë në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI dëshirojnë që të zvarrisin të gjitha procedurat edhe për dy muaj të tjerë me qëllim që zgjedhjet e ardhshme lokale në pranverë të organizohen nga Qeveria aktuale të cilën e drejtojnë dy partnerët e deritanishëm qeveritarë. Dyshimet për këtë skenarë i kanë forcuar vendimet e fundit të kreut të shtetit dhe vetë partive që deri më tani kanë udhëhequr Qeverinë. Nga njëra anë presidenti Ivanov në vendimin e fundit ju la partive kohë të pakufizuar për të siguruar mbështetjen e shumicës parlamentare, të nevojshme për marrjen e mandatit, ndërsa afat nuk ka caktuar as për formimin e Qeverisë, për çka në Kushtetutë është kufizuar në 20 ditë. Ndërkaq nga ana tjetër zyrtarë të BDI-së në paraqitjet e fundit njoftuan se kjo parti gjatë periudhës në vazhdim do të analizojnë detajisht të pesë skenarët një nga një dhe nuk do të nguten. Duke pasur parasysh faktin që kjo parti edhe pas 20 ditëve konsultime nuk arriti ti thotë as po as jo opsionit të varë, koalicionit me VMRO-DPMNE-në, pritjet janë se analiza e pesë skenarëve mund të zgjasë për një kohë shumë më të gjatë. Nga LSDM thonë se ende nuk ka asnjë zhvillim të ri. Nga kjo parti vetëm kanë përsëritur se janë duke punuar në sigurimin e shumicës së nevojshme për marrjen e mandatit, por ende nuk ka takime mes liderit të tyre Zoran Zaev dhe liderëve të partive shqiptare.
“Po, kontakte ka në nivele të tjera, liderët nuk janë takuar, përveç takimit publik për të cilin opinion ishte i informuar. Procesi është në rrjedhë, punojmë në sigurimin e shumicës dhe formimin e menjëhershëm të Qeverisë dhe opinion do të njoftohet menjëherë kur do të kemi momente të reja lidhur me këtë çështje”, tha Damjan Mançevski nga LSDM.
Ndryshe, ditë më parë nga BDI thanë se nuk do t’i japin LSDM-së nënshkrimet e nevojshme për të marë mandatin pa arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë dhe pa pranuar platformën e tyre.
Arben Zeqiri /SHENJA/