Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski konfirmoi se nga 520 kandidatët e paraqitur në shkollën e mesme policore, 31 janë shqiptarë ndërsa prej tyre 11 janë pranuar. E këto shifra përplasën opozitën me pushtetin në seancën për pyetje deputetësh. Ministri Toshkovski u shpreh se këto shifra të ulëta dhe këtë situatë mund ta përmirësojnë së bashku me opozitën, duke e votuar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuad, të cilin siç tha e ka bllokuar opozita shqiptare. Ndërsa akuzoi pushtetine kaluar se gjatë 20 vite në pushtet nuk kanë bërë asgjë për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe për shkollën e mesme policore.
Pançe Toshkovski, ministër i Brendshëm
“Është fakt se numri është shumë i ulët. Është fakt se në të ardhmen duhet të punojmë më shumë për t’i motivuar të gjitha etnitë në Maqedoni që të jenë pjesë e shkollës së mesme policore. Në të ardhmen duhet të fokusohemi në këtë pjesë. Këtë mund ta bëni edhe ju, duke ndihmuar drejtëpërdrejtë këtu në Kuvend duke votuar Ligjin për përfaqësim të Drejtë, të cilin ju po e bllokoni. Jam i sigurtë se me atë ligj do të ndihmoni drejtëpërdrejtë”.
Ndërsa deputetja e Frontit Evropian Rina Ajdari kundërshtoi Toshkovskin duke thënë se jo 11 por 100 kandidat shqiptar i kanë plotësuar kushtet për shkollën e mesme policore, por akuzoi se këtë proces e ka kontrolluar vetëm VMRO dhe zyrtarët e saj, ndërsa nuk ka marrë pjesë në proces asnjë përfaqësues i VLEN-it.
Rina Ajdari, deputete e Frontit Evropian
“Mbi 100 kandidatë shqiptar i kanë plotësuar kushtet dhe edhe një fakt po ua jap. Në qoftë se jeni i sinqertë sepse e shoh që nuk jeni sepse po manipuloni me faktet. Asnjë zëvendës ministër i VLEN-it nuk ka qenë pjesë e këtij procesi dhe praktikisht asnjë përfaqësues tjetër nga radhët e e VLEN-it nuk ka qenë pjesë e këtij procesi. Praktikisht vetëm ju dhe VMRO ka pas të drejtë të rregulloj siç ka dashur këtë proces”.
Ndërsa përsëriti qëndrimin e opozitës për Ligjin për përfaqësim të Drejtë, se nuk do ta kalojnë atë ligj sepse siç tha nuk ka kuota etnike, nuk ka mekanizma institucional që do të detyroj institucionet ta zbatojnë dhe nuk ka sanksione.
Emine Ismaili /SHENJA/
The post (VIDEO) 2.8% nxënës shqiptarë në shkollën e policisë, akuza ndaj ministrit dhe pushtetit appeared first on TV-SHENJA.


