Kryeministri Rama ka theksuar edhe një herë se zbatimi i “Vetting”-ut është i rëndësishëm për të nisur sa më parë, pasi do t’i japë fund frymës së korrupsionit që ka zënë qytetarët shqiptarë në 25 vitet e fundit.
Gjatë një aktiviteti të OSHEE-së, ku ka prezantua skemat lehtësuese për abonentët përfitues, kreu i qeverisë ka shtuar ka ardhur koha që shqiptarët kërkojnë vetëm drejtësi.
“Reforma në drejtësi nuk është për ne, në kuptimin e interesit tonë është për ju. Drejtësia e re, nuk na duhet thjesht për disa pushtetarë të korruptuar që duhet të marrin ndëshkim, por na duhet në radhë të parë për çdo qytetar që te dera e gjykatës duhet të marrë drejtësinë që i takon dhe jo të hajë çekiçin kokës nga gjykatësi sepse nuk kishte para të paguante për drejtësinë dhe dikush tjetër ia bleu përmes gjykatësit drejtësinë”.
Sipas Ramës, “është një reformë themelore që shkon përmes funksionit të të bërit shteti dhe që kalon përmes vettingut. Vettingu nuk është as për mua as për ambasadorin amerikan as për prokurorin e përgjithshëm as për X apo Y tjetër. Është për njerëzit e zakonshëm të këtij vëndi që më në fund të çlirohen nga kthetrat e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar që i morën frymën këtij populli 25 vjet”.
Sa i takon faljes së kamatëvonesave, Rama theksoi: “Kundërshtarët e reformës nga të katër anët vunë kujën, falni kamatëvonesat, falni kamatëvonesat. Nëse ne do të kishim falur kamatëvonesat që në momentin e parë, reforma do të kishte dështuar dhe ne do të kishim dështuar në një nga aspektet më të rëndësishme të projektit tonë për të bërë shtet. Sot ne kemi 453 mijë konsumatorë që kanë aktmarrëveshje me shtetin dhe që janë në një marrëdhënie reciprociteti me kompaninë. Konsumatorët i përgjigjen kompanisë sipas detyrimeve të tyre dhe kompania ua kthen dhe do tua kthejë duke ua lehtësuar barën e të shkuarës që është barë e përbashkët, është dhe barra e një pushteti që kupton se ato para të papaguara vinin dhe si rezultat i mungesës së shtetit”, tha kryeministri Rama.
6 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)