Pas vendimit të Gjykatës Supreme, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta fillojë sa më parë numërimi i votave të diasporës.
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka marrë sot vendimin nga Gjykata Supreme e Kosovës ku u konfirmua e drejta e bashkatdhetarëve tanë dhe më në fund u hap rruga për numërimin e pakove me vota të ardhura prej tyre.
“Presim që sa më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mblidhet dhe të marrë vendimin për të vijuar me procedurat e verifikimit dhe numërimit të këtyre fletëvotimeve”, thuhet në një postim të Lëvizjes Vetëvendosje në rrjetin social Facebook.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, e gjithë kjo mund të ishte evituar nëse prej 12 tetorit KQZ do të kishte lejuar administratën e saj t’i numëronte këto fletëvotime.
Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar në vendimin e PZAP, me të cilin nuk lejohej numërimi i 4 mijë e 639 zarfeve me vota, pasi kishin arritur me vonesë në Kosovë, edhe pse ato ishin nisur në kohë.
Në ankesën e dytë të Vetëvendosjes, Gjykata Supreme vendosi që KQZ të bëjë rinumërimin e 4 mijë e 639 fletëvotimeve të ardhura jashtë Kosovës. /Lajmi.net/