Mbi 26 milion euro kanë marrë televizionet nacionale në vend gjatë periudhës së viteve 2010-2017 nga ish Qeveria e VMRO-DPMNE-së, ndërsa 95 për qind e kësaj shume kanë përfunduar në llogaritë e televizionit Sitel, Kanal 5 dhe Alfa TV.
Këtë e tregojnë të dhënat në bazën “Financa të hapura”, publikoi sot Prizma.
Shuma e saktë është 26,6 për qind, ndërsa një pjesë e madhe e tyre, mbi 90 për qind, ish qeveria i ka dhënë direkt nga buxheti i saj, nga zëri “transfere tjera” ndërsa ministritë dhe sekretariatet qeveritare kanë kontribuuar vetëm me disa përqindje të ulëta.
Nëntëdhjetë e pesë për qind e kësaj shume kanë përfunduar në llogaritë e tre televizioneve nacionale – në vend të parë është Sitel me 10,2 milion euro të paguara në atë periudhë shtatë vjeçare, ndërsa më së shumti para kanë marrë në vitin 2015 – 1,8 milion euro. Në vend të dytë është Kanal 5 me 8,5 milion euro, ndërsa në vend të tretë Alfa TV me 6,3 milion euro”, publikoi Prizma.
Të ardhurat e Alfa TV nga qeveria kryesisht janë rritur në vitin 2013, prejse televizionin e ndërmorri biznesmeni serb Veselin Jevrosimoviq. Ky medium në vitin 2012 ka marrë 275.000 euro, pas ndërrimit të pronësisë ai ka marrë madje 1.5 milion euro ose pesë herë më shumë.
Shumë më pak para nga treshja e parë për periudhën e njëjtë shtatë vjeçare kanë marrë dy televizionet tjera nacionale Telma dhe Alsat, rreth 859.000 dhe rreth 545.000 euro.
Në fillim të mandatit, qeveria e LSDM-së publikoi se pushteti i VMRO-DPMNE-së ka shpenzuar 38 milion euro për fushata dhe për propagandë në mediat elektronike dhe ato të shtypit, megjithatë në atë konferencë shtypi nuk ishin publikuar shumat që çdo medium veçmas i ka marrë.
Në vitin 2018 dhe vitin 2019, kur me pushtetin udhëheq LSDM dhe koalicioni, qeveria dhe ministritë nuk kanë transfere ndaj mediumeve nacionale. Garnitura aktuale qeveritare, sërish, në fillim të vitit, me 692.000 euro ka mbështetur 11 media të shtypit dhe me siguri edhe vitin e ardhshëm 2020 do të ketë ndihmë të tillë për gazetat.



