31.05.2017
Sipas ligjit, 30% e numrit të përgjithshëm të deputetëve duhet të plotësohet nga gjinia e bukur. Ndërkohë që shumë larg kësaj shifre është shumica e re parlamentare. Në Kuvendin e Maqedonisë, femrat kanë vetëm 5 përfaqësuese, gjegjësisht 5 deputete.
Intelektualja dhe diplomatja, Adelina Marku, vlerëson se lidershipi në Maqedoni është primitive në të gjitha llojet e veta.
“Për më shumë, kam bindjen se shqiptarët këtu, spikaten edhe më shumë për këtë. Ata vazhdojnë të mendojnë se “ flokëgjata është mendjeshkurtra” ose “ e bukura është për nishan”, pra nuk dalin dot nga mediokriteti i kësaj matrice. Kjo duhet të jetë mësim edhe për ne gratë. Ajo që duhet të marrim nga ky mësim, është vetdijësimi, e që ka të bëjë me ZHVILLIMIN e pozitës sonë në familje, shoqëri dhe atribuimin e rolit tonë, në mënyrën më të natyrshme të mundshme, si qenie të barabarta me meshkujt”.
Mendim të njejtë ndanë edhe sociologu Ali Pajaziti.
Për Almakos.com, Pajaziti thotë se faktori numër një i maskilizimit të sferës publike, në këtë kontekst edhe i asaj politike është te e kaluara, historia, mendësia jonë paternaliste, te trajtimi i femrës si entitet dytësor, si një statist që i jep jetës pasion dhe estetikë, por jo si një subjekt efektiv, në plotkuptimin e fjalës, si një kapacitet mendor dhe intelektual i barabartë me mashkullin, si gjysma tjetër e mollës.
“Faktori i dytë është shkollimi, i vonshëm i femrës. Avancimi arsimor ka sjellë vetëbesimin femëror tek vetëvetja. Në këtë përbërje qeveritare vërehet një shkarje e madhe në këtë drejtim, dominim total mashkullor, në vend të progresit, regres”- përmbyll qëndrimin e tij Ali pajaziti.
Një përqindje e tillë (30%) e përfaqësimit të femrës në tempullin e së drejtës, ceket edhe në ligjet e shteteve fqinje Shqiperisë dhe Kosovës. Shqipëria e realizoi këtë, e Kosova ende jo, por këtyre dy shteteve ju duhen dylbi për të parë sa pas është Maqedonia në këtë drejtim.
/Almakos.com
Evi Shkopi