Ngritja pa leje e përmendoreve dhe dëmtimi i tyre mund të kalojnë me vërejtje dhe gjoba me vlerë shumëfish më të ulët sesa deri tani. Këto janë disa nga ndryshimet më të fundit që priten të miratohen nga Parlamenti në Ligjin për monumentet dhe përmendoret, e që për momentin është në leximin e dytë. Për shembull, nëse për ngritjen pa leje të një përmendoreje gjoba ishte 5 mijë euro, me ndryshimet e reja ligjore – ajo është trefish më e ulët, përkatësisht reduktohet nga 1500 e deri në 3 mijë euro, por akti mund t’i kushtojë autorit edhe vetëm një “vërejtje”. Po ashtu gjoba prej 3 mijë euro në rastet kur dëmtohet një monument ose bëhen veprime në afërsi të tij, kur zhvendoset, ose bëhen ndryshime që cenojnë integritetin e tij, pa pëlqimin e autorit, Parlamentit ose institucionit kompetent…, bëhet me ndryshimet e reja nga 1000 deri në 2000 euro.
“Projektligji zvogëlon shumën e gjobave duke përcaktuar kufirin e saktë të shumës së gjobave për kundërvajtje, ndërsa dhënien e një vërejtje për personat juridikë dhe fizikë, para se të shqiptohet një gjobë, vendoset si rregull në rast se autori e ka kryer veprën penale për herë të parë dhe nuk ka shkaktuar pasoja të dëmshme për një palë të tretë dhe as ka rrezikuar interesin publik. Vërejtja lëshohet gjithashtu për një kundërvajtje të kryer nën rrethana veçanërisht lehtësuese, nëse kundërvajtja konsiston në mos përmbushjen e detyrimit të përcaktuar ose me veprën është shkaktuar dëm ndërsa autori para miratimit të vendimit për kundërvajtjen, e ka përmbushur detyrimin e paraparë, domethënë e ka zhdëmtuar ose e ka kompensuar dëmin”, thuhet në arsyetimin e ndryshimeve ligjore.
Përveç vendosjes së një numri të madh monumentesh në Shkup, si pjesë e projektit “Shkupi 2014”, numri i përmendoreve dhe obeliskëve të ndryshëm është rritur ndjeshëm gjatë dhjetë viteve të fundit – madje duke u shndërruar një garë përmendoresh midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Të ngritur nëpër fshatra, qytete, rrugë e shkolla – një pjesë e tyre lidhen ngushtë me fiksimin e momenteve, datave historike dhe personaliteteve të ndryshëm që kanë merita kryesisht historike. Në vendbanimet shqiptare, pjesa më e madhe e tyre lidhen me përkujtimin e vitit 2001, konkretisht UÇK-në, por edhe dedikuar personaliteteve nga kultura dhe historia shqiptare nga periudha të ndryshme. Në Kërçovë, në Zajaz u ndërtua kompleksi memorial për nder të 500 shqiptarëve të vrarë në vitin 1913 nga terrori i pushtetit të atëhershëm serb, në fshatin Sellcë të Tetovës gjendet kompleksi memorial i UÇK-së. Ngritja e monumenteve pa kriter vazhdon të mbetet në fokus të kritikave, si për aspektin e realizimit artistik të tyre, kompozimit, po aq sa edhe për mesazhet që përçojnë duke i cilësuar si vepra me përmbajtje provokative që cenojnë bashkëjetesën fetare, etnike, por edhe fqinjësinë e mirë. (koha.mk)



