Nuk kishim ndonjë bashkëpunim konkret me ish ministrin e shëndetësisë, Nikolla Todorov. Këtë sot e deklaroi ministri i ri Venko Filipçe, edhepse ishte këshilltar në kabinetin e ish-ministrit. Arsyeja pse e kanë zgjedhur si këshilltar në kohën e Todorovit, sipas Filipçes, është angazhimi i tij në Klinikën e neurokirurgjisë.
“Do të dëshiroja t’i porosisja mjekët e rinj se punën e tyre profesionale nuk duhet ta lidhin me asnjë parti ose politikë. Puna profesionale është punë profesionale, është angazhim për pacientët dhe për përmirësimin e shërbimit që ne ua ofrojmë atyre.”/lajmoress.com/
Pyetjes se si ndodhi që të jetë pjesë e kundër-plenum-it, i cili u organizua si përgjigje pas kritikave nga ana e disa profesorëve universitarë, të cilët para tre viteve kërkuan reforma në arsimin e lartë dhe në shtet, Filipçe tha se ky ka qenë një hap i gabuar.
“Kundër-plenumi ishte një keqkuptim i madh. Unë çdo herë i kam përkrahur proceset demokratike sidomos në sistemin tonë shëndetësor.”
Në konferencën e sotme për shtyp, ministri i ri tha se nuk do të ketë krizë për insulinë as import paralel të barnave, gjithashtu tha se do të avancohet sistemi elektronik i shëndetësisë dhe siguria e pacientëve. Krahas premtimit për rritjen e rrogave në shëndetësi për 5% në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, ministri i Shëndetësisë premtoi kompensim shtesë për kujdestaritë gjatë ditëve të punës, nga 900 – 1.340 denarë në 2.500 denarë, përkatësisht 3000 denarë, ndërsa për kujdestari gjatë fundjavave, në vend të 2.800 denarë, mjekët do të marrin 4000 denarë. Me qëllim që të lehtësohet kaosi në trafik në afërsi të Qendrës klinike në Shkup, Filipçe paralajmëroi se që nga java e ardhshme do të ndalohet parkimi i automjeteve në rrugën Vodnjanska.