Vendkalimi i ri kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë Veriore “Bellanoc-Stançiq” pritet të hapet për qarkullim në muajin gusht të këtij viti, publikoi sot portali “Gazeta Ekspres”.
Siç informon korrespondenti i MEDIAL-s nga Prishtina, informacionin për portalin e ka konfirmuar një burim zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duek potencuar se shtyrjet e vazhdueshme të hapjes së vendkalimit Bellanoc-Stançiq kanë ndodhur për arsye se Republika e Maqedonisë së Veriut për herë të parë hap pikë të përbashkët kufitare.
“Është hera e parë që në Republikën e Maqedonisë së Veriut hapet pikë e përbashkët kufitare dhe në këtë drejtim pala maqedonase ka pasur mungesë legjislacioni për realizimin e projektit, andaj ka marr shumë kohë infrastruktura ligjore për realizimin e projektit duke shkaktuar vonesa në implementim”, thotë burimi i “Gazetës ekspres”.
Në qershor të vitit 2018 zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ai i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar vunë gurthemelin e objektit kufitar.
Portali potencon se banorët e vendbanimeve kufitare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut vazhdimisht janë ankuar për neglizhencën e autoriteteve shtetërore për mos hapjen e pikës kufitare që lidhë dy shtetet. Sipas banorëve mos funksionalizimi i këtij vendkalimi kufitar ka bërë që të udhëtojnë qindra kilometra për të shfrytëzuar pikën kufitare të Bllacës për tu lidhur me qytetet kufitare të Gjilanit respektivisht Kumanovës.
Hapja e kësaj pike kufitare ka rëndësi strategjike, shkruan “Gazeta Ekspres” për shkak të pozitë gjeografike e cila lidh tre shtete Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në atë që njihet si “Trekëndëshi i Kufirit” në aspektin e ekonomisë dhe tregut, qarkullimit të njerëzve etj.


