Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka njoftuar pas mbledhjes së qeverisë së ditën e sotme është miratuar sistemi për pagat për koordinatorët e njësisë anti-korrupsion.
“Vendimi i parë ka të bëjë me njësinë anti korrupsion për miratimin e nivelit të pagave par rrjetin e koordinatorëve në disa njësi të anti-korrupsion. Është lajm i mirë për njësinë tonë që motivon këtë njësi dhe koordinatorët që kemi në këtë agjenci”, tha ai.
Ai deklaroi se vendimi i dytë ka të bëjë me një rregullore të re për sistemin e brendshëm të burgjeve që sipas tij garanton funksionimin e tyre duke e afruar më shumë Shqipërinë me Bashkimin Europian.
“Vendimi i dytë ka të bëjë me rregulloren e brendshme të burgjeve. Ai është një dokument i rëndësishëm që garanton mirëfunksionim e sistemit të burgjeve në përputhje me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Është një dokument që ka marrë në konsideratë konventat e huaja. Në rregullore kanë gjetur vend edhe rekomandimet e bëra ndër vite të organizatave që monitorojnë sistemin e burgjeve në Shqipëri. Është një dokument që e afron më shumë Shqipërinë me BE për trajtimin e të paraburgosurve”, tha Manja.
Ndërkohë vendimi i tretë lidhet me trajtimin e përkthyesve zyrtarë dhe interpretëve të gjuhës së shenjave. “Vendimi i tretë ka të bëjë me trajtimin e përkthyesve zyrtarë dhe interpretët e gjuhës së shenjave. I njëjti trajtim që jepet edhe për magjistratët”, theksoi Manja.



