Vendimi i Gjykatës së Apelit për paraburgimin e tre të punësuarve në MPB, do të anulohet, meqë ata tek tani do të ankohen në Gjykatën Supreme. Këtë për televizionin Alsat e konfirmoi avokati Lubço Shvërgovski i cili është pjesë e palës mbrojtëse. Ai sqaron se pasi të merren vendimet, klientët e tij do të ankohen në Supreme.
Jam i sigurt se do të parashtrohen ankimime për vendimet e Gjykatës së Apelit. Fakti që Apeli kërkon paraburgim, ndërsa Këshilli Penal paraprakisht miratoi vetëm masa për kujdes është një situatë më pak e volitshme dhe kanë të drejtë të ankimimit në Gjykatën Supreme- tha
Pasi t’i pranojnë vendimet për paraburgim, të akuzuarit kanë të drejtë që në afat prej 24 orëve të parashtrojnë ankimime. Më pas Supremja duhet të prononcohet brenda 48 orëve. Për situatën e këtillë reaguan nga Prokuroria Speciale.
Pres që të konfirmohen, argumentet janë në anën e vendimit me të cilin është shqiptuar masa- paraburgim. Shtyrjen e zbatimit të vendimit Gjykata e ndërlidh me atë vendim famëkeq të Gjykatës Supreme me të cilin e shfuqizoi vendimin e Shkallës së parë dhe të dytë për lëndën e njohur si “Trust”. Në botë nuk ekziston shtyrje të vendimit me të cilin është shqiptuar masa e paraburgimit- deklaroi Gavril Bubevski- PSP
Me qëndrim të ngjashëm doli edhe një pjesë e avokatëve.
Do të vihen në pozitë që masën e paraburgimit ta presin në liri. Kjo nuk është masë paraburgimi, prandaj atje në pikat që janë përcaktuar, pika –arratisje- do të thotë që të mos arratisen…- tha avokati Aleksandar Tumanovski.
Gjykata e Apelit një ditë më parë caktoi paraburgim për Goran Grujovskin, ish shefin e Drejtorisë së pestë në MPB, Toni Jakimovskin, ish shefin e kabinetit të drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov dhe për Nikolla Boshkovskin, nëpunës në MPB. Ata akuzohen për përgjim të paligjshëm dhe shkatërrim të dëshmive. Megjithatë, se a do të përfundojnë në Shutkë do të vendos kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski si edhe katër gjykatës suprem. Mbetet të shihet se cilët gjykatës do të bëjnë pjesë në Këshillin Penal për shkak të pushimeve vjetore. Alsat mëson se përzgjedhja do të bëhen nga mesi i 12 gjykatësve.

