Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë dhe deputet aktual, Trajko Veljanoski sot përmes një letre reagoi në, siç tha, mosrespektimin dhe shkeljen e Rregullores për punën e Parlamentit. Duke u përqendruar në seancën e sotme të caktuar kuvendore për pyetje të deputetëve, Veljanoski thekson se një seancë e tillë thirret dy ditë para mbajtjes së saj dhe vlerëson se ai është precedent në punën e organit ligjvënës sepse në të njëjtën ditë janë konvokuar edhe dy seanca të tjera kuvendore dhe dy seanca të organeve kuvendore. “Seanca për pyetje të gazetarëve që është para nesh është një lloj precedenti në punën e organit ligjvënës edhe nga një aspekt. Në të njëjtën ditë në të cilën është thirrur seanca për pyetje të gazetarëve janë thirrur edhe dy seanca të tjera në Kuvend dhe edhe dy seanca të tjera të trupave të punës. Kjo asnjëherë më parë nuk ka ndodhur dhe nuk guxon të ndodhë”, thotë Veljanoski në letrën e hapur.
Sipas tij, po keqpërdoret neni 68, paragrafi 2 dhe pothuajse të gjitha seancat kuvendore si urgjente, gjegjësisht nga 21 seanca të Parlamentit, 16 janë thirrur sipas këtij neni. Seancat kuvendore, siç thekson Veljanoski, janë thirrur prej sot për nesër që të shmanget dorëzimi i materialeve dhe të pamundësohet që deputetët të përgatiten për debat. Ai ka vërejtje edhe për afatet për debatin e amendamenteve, për procedurën për interpelancë, për sjelljen e kryetarit të Komisionit për çështje evropiane i cili e ka shtyrë në kohë të pacaktuar, për parashtrimin e amendamenteve, si dhe për përpjekjen që të sillet propozim-vendimi për zëvendëssekretar të përgjithshëm të Kuvendit. Mosrespektimi dhe shkelja e Kushtetutës dhe të Rregullores për punën e Kuvendit, sipas Veljanoskit ka filluar që nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit më 27 prill të këtij viti.