Ish-Avokati i shtetit, tani avokat, Fehmi Stafa, ka pranuar fajësinë për marrje ryshfeti dhe është marrë vesh me Prokurorinë për të vuajtur një dënim me burg prej një viti e tre muajsh, raportojnë mediat në Maqedoni. Sipas hetimit të Prokurorisë, prej tetorit deri më 13 dhjetor të vitit 2025 Stafa ka pranuar gjithsej 50 mijë euro që të ndërmjetësojë te gjykatësi i Apelit Gjoko Ristov, transmeton Portalb.mk.
Fillimisht, Stafa ka kërkuar 100 mijë euro për shërbimin. Fillimisht ka marrë 30 mijë euro nga motra e të dyshuarit, ndërsa Stafa ka kërkuar më pas edhe 20 mijë euro të tjera për ta korruptuar gjyqtarin. Sapo i janë dorëzuar 20 mijë eurot, Stafa është arrestuar nga zyrtarët policorë, gjatë së cilës i janë gjetur paratë dhe i janë marrë.
Përndryshe, ish Avokati i Shtetit u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar, në kuadër të një procedure të iniciuar kundër tij nga PTHPNKOK për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ai ka kryer krimin e marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm.
Siç atëherë informoi Prokuroria, në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor, i dyshuari Stafa mori gjithsej 50,000 euro për të ndërmjetësuar dhe ndikuar te një gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Shkupit në lidhje me një çështje që po zhvillohej kundër klientit të tij, pra një personi që ai përfaqësonte si avokat.
Menjëherë pas marrjes së parave, i dyshuari Stafa u privua nga liria, dhe paratë iu gjetën dhe iu konfiskuan.
Përndryshe, personi për të cilin ish Avokati i Shtetit duhej të vepronte për heqjen e masës së paraburgimit është i dyshuari në rastin “Zinxhiri”, Lupço Pecov, i njohur me nofkën Djalli.
Stafa, i cili është avokati i Pecovit në këtë rast, kishte paraqitur kërkesë disa muaj më parë për të zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak në mungesë të Pecovit, për të cilën ishte ofruar edhe garanci.
Disa ditë pas arrestimit të Stafës, konkretisht më 16 dhjetor, Pecov, i cili deri atëherë kishte qenë në arrati, u dorëzua vetë te autoritetet e përndjekjes dhe menjëherë u nxor para gjykatësi të procedurës paraprake.


