Ka ndërruar jetë biznesmeni Eduart Reçi, 52 vjeç, me origjinë nga Dibra që mbeti i plagosur nga atentati me armë zjarri në “Rrugën e Elbasanit”. Ngjarja ndodhi rreth orës 23.30 të kësaj të mërkure.
Ai është qëlluar me një plumb në kokë pranë një lokali, në afërsi të banesës së tij.
Viktima Eduart Reçi, një biznesmen 52 vjeç dhe pronar i kompanisë ELGM, u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës me një plagë serioze në kokë, në gjendje kritike dhe pas disa orësh ai ka ndërruar jetë.
Eduart Reci është i njohur në zonë për aktivitetin e tij në ndërtim, duke qenë që ka ndërtuar disa pallate aty pranë.
Megjithëse motivet e sulmit mbeten të paqarta, dyshohet se atentatori mund ta ketë qëlluar nga një distancë e largët, pasi në pamjet e kamerave të sigurisë nuk shfaqen autorët, gjë që ngre dyshime mbi mënyrën e kryerjes së sulmit.
Policia po heton për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë, duke shqyrtuar prova të mundshme dhe duke analizuar të dhënat e kamerave të sigurisë.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 13.11.2024, rreth orës 23:00, në rrugën “Faik Konica” është plagosur me armë zjarri shtetasi E. R., 52 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Informacion më të detajuar mbi këtë ngjarje do të japim në vijim.