Pas ngjarjes tragjike në Shkodër, ku një fëmijë 3 vjeç ndërroi jetë ende në rrethana të paqarta, ndërsa e motra e tij, 7 vjeçe ndodhet në gjendje kritike në QSUT, ka reaguar i ati i të miturve në lidhje me ngjarjen.
Kryefamiljari Hasmegaj u shpreh se as ai vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur me djalin e tij, e se e bija ndodhet ende ne spitalin e QSUT në gjendje të rëndë.
Ditën e djeshme burime nga spitali u shprehën se ekziston dyshimi që të miturit të jenë helmuar nga ilaçi kundër minjve, por i ati e mohon kategorikisht duke thënë se nuk është e vërtetë.
Ai shtoi se fillimisht në spital i kanë thënë se ndoshta fëmijët janë prekur nga ndonjë grip, teksa theksoi se pret përgjigje nga stafi mjekësor lidhur mbi arsyen e shkakut të vdekjes së djalit dhe gjendjes së rëndë të vajzës.
Bashkëshortja e tij është në muajin e fundit të shtatzënisë, por për shkak të rastit të rëndë dhe ajo ndodhet në spital por jo në një gjendje shumë të mirë shëndetësore.
“As vetë nuk e di se çfarë ka ndodhur me djalin. Mediat kanë abuzuar me lajmet. Unë vetë nuk i kam parë por më kanë thënë të afërmit që në lajme thuhet se djali ka ndërruar jetë nga ilaçi që mund të kem përdorur për minjtë. Nuk është e vërtetë.
Mjekët më thanë në fillim mos ka qenë ndonjë gjendje gripale por nuk e di. Po presim çfarë do më thonë mjekët.
Ndërsa vajza është ende në gjendje të rëndë. Mjekët nuk më kanë thënë akoma se sa kohë do qëndrojë në spital.
Edhe bashkëshortja është në spital në gjendje jo shumë të mirë shëndetësore.”, deklaroi i ati i fëmijëve për Euronews.
ÇFARE DEKLAROI SPITALI I SHKODRES
Burime pranë spitalit rajonal të Shkodrës bënë me dije se fëmija 3-vjeçar është paraqitur në spitalin rajonal të Shkodrës ditën e shtunë rreth orës 10:00 të paradites në gjendje të rënduar shëndetësore me insuficensë kardiake( puls të ulët, shenja jetësore shumë të ulta, ndërsa 10 minuta pasi ka mbërritur ne spital ka ndërruar jetë.
Pas rreth 20-30 minutash ka mbërritur dhe motra e tij në spitalin e Shkodrës me të njëjtat simptoma dhe i është dhënë ndihma e parë dhe është dërguar menjëhere në QSUT ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas Spitalit Rajonal Shkodër, janë ndjekur të gjitha protokollet.
Familjarëve u është kërkuar që fëmija të lihet në observacion.
Por, prindërit kanë firmosur për ta nxjerrë e për ta çuar në shtëpi.
Të nesërmen, prindërit e kane sjellë sërish fëmijen ne gjendje shume te rende dhe eshte derguar menjehere ne reanimacion, ku ka ndërruar jetë.
Ndërsa, fëmija tjeter, sapo ka ardhur, është nisur menjëherë drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.