Në Gjykatën Themelore sot vazhdoi gjykimi për tragjedinë në kabarenë Puls në Kočani, ku u dëgjuan dëshmitarë dhe u hapën dilema të reja juridike lidhur me rrjedhën e procedurës.
Në fillim të seancës u drejtua i akuzuari Grozdan Milkovski, pronar i objektit ku ndodhej kabareja, i cili deklaroi para gjykatës se për shkak të problemeve shëndetësore e ka të vështirë të marrë pjesë në seancat gjyqësore.
“Jam i sëmurë, askush nuk më merr seriozisht. Ju lutem ndërmerrni diçka. Si të vij kur nuk kam fuqi? Nuk mund të qëndroj pesë orë këtu dhe të më transportojnë. Po përgatiten të më ndalojnë në Koçan”, tha Milkovski para gjykatës, duke kërkuar që gjykata të gjejë një zgjidhje për gjendjen e tij.
Gjykatësja Diana Ilievska-Gruevska theksoi se është e informuar për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit, por sipas informacioneve që posedon ajo nuk është aq serioze sa ta pengojë pjesëmarrjen e tij në seanca. Ajo paralajmëroi se nëse i akuzuari vazhdon të mos paraqitet në gjykatë, do të propozojë masën e paraburgimit.
Ndryshe, Milkovski së fundmi ishte hospitalizuar, për shkak të së cilës një nga seancat e mëparshme ishte shtyrë.
Në seancën e sotme dëshmuan persona që i mbijetuan tragjedisë, si dhe anëtarë të bendit DNK, i cili po performonte natën kur shpërtheu zjarri. Para gjykatës dëshmoi edhe vokalistja shoqëruese e grupit, Ana Kostadinovska. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe mbrojtjes, ajo tha se nuk e di kush i kishte vendosur apo aktivizuar mjetet piroteknike në klub, as kur ishin përgatitur ato.
Ajo shtoi se kurrë nuk kishte parë kush i vendoste spërkatëset në klubet ku performonte grupi DNK dhe se është e mundur që kjo të ketë qenë detyrë e një personi teknik të klubit.
Duke folur për momentin kur shpërtheu zjarri, Kostadinovska tregoi se pak pas fillimit të performancës kishte ndier një nxehtësi të fortë, pas së cilës vokalisti Panço u kishte bërë thirrje të pranishmëve të dilnin menjëherë jashtë. Sipas saj, në momentet e para shumë persona nuk e kuptuan seriozitetin e rrezikut.
Muzikanti Goran Tonev, i cili performonte si bashkëpunëtor i jashtëm me bendin, deklaroi se mjetet piroteknike ishin vendosur para se anëtarët e bendit të ngjiteshin në skenë, por nuk e di kush i kishte vendosur apo aktivizuar. Ai tha se zjarri u përhap shumë shpejt dhe hapësira brenda pak minutash u mbush me tym të dendur.
Dy të mbijetuar të tjerë deklaruan se pas aktivizimit të spërkatëseve u përfshi nga zjarri një pjesë e tavanit të objektit, çka shkaktoi panik dhe shtyrje të njerëzve drejt daljeve.
Gjatë seancës së sotme, mbrojtja e të akuzuarit kryesor Dejan Jovanov propozoi bashkimin e procedurave gjyqësore që lidhen me tragjedinë. Mbrojtja kërkoi që ky proces të bashkohet me çështjen e re në të cilën Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka ngritur aktakuzë ndaj 13 zyrtarëve policorë.
Sipas avokates së mbrojtjes, në të dy rastet bëhet fjalë për të njëjtin ngjarje dhe për të njëjtën vepër penale, prandaj bashkimi i procedurave do të parandalonte që të përcaktohen gjendje të ndryshme faktike në dy procese të ndara.
Para trupit gjykues u drejtua edhe avokati Petre Shilegov, i cili theksoi se nuk mund të ekzistojnë dy procedura të ndara për të njëjtin ngjarje.
“Nuk kemi dy ngjarje penale-juridike që të kemi dy procedura. Është në kundërshtim me Ligjin për Procedurë Penale që të zhvillohen dy procese për të njëjtën ngjarje. Është koha të fillojë një gjykim i vërtetë për këtë rast”, deklaroi Shilegov.
Mbrojtja shtoi se edhe vepra penale dhe personat e dëmtuar janë të njëjtë, gjë që sipas tyre është arsye shtesë për bashkimin e proceseve.
Nga ana tjetër, prokurorët theksuan se nuk janë kompetentë të veprojnë në lëndë që zhvillohen në një prokurori tjetër.
“Nuk na habit fakti që mbrojtja shpesh reagon për madhësinë e lëndës dhe numrin e të akuzuarve, ndërsa tani kërkon bashkimin e procedurave”, deklaruan prokurorët nga Koçani.
Nëse gjykata vendos t’i bashkojë të dy lëndët, kjo do të nënkuptonte që i gjithë procesi gjyqësor duhet të fillojë nga e para.
Tragjedia në diskotekën “Puls” ndodhi më 16 mars të vitit të kaluar gjatë një koncerti të grupit DNK. Në zjarr humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u plagosën. Rasti konsiderohet si një nga tragjeditë më të rënda në historinë e fundit të vendit.
Procesi gjyqësor po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, në prani të të akuzuarve, familjeve të viktimave dhe publikut, ndërsa procedura e provave vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria.


