11 April 2018 / 9:45
Në Gjykatën Penale sot do të vazhdoj seanca gjyqësore për lëndën e PSP-së “Tenku” lidhur me blerjen e Mercedesit luksoz prej 600 mijë euro.
Në seancën e djeshme avokatët e të akuzuarve Nikola Gruevski, Gordana Jankuloska dhe Gjoko Poposki dy herë kërkuan përjashtimin e gjykatëses Dobrila Kacarska, si dhe të kryetarit të Penales, Ivan Xholev dhe zëvendësit të tij Pajazit Pajaziti. Kërkesat e mbrojtjes u refuzuan ndërsa në gjykatë vazhdoi dëgjimi i dëshmitarëve. I akuzuari Gruevski tha se gjykata ka standarde të dyfishta dhe se për të njëjtën kërkesë të tyre për përjashtim në rastin “Kosmos” gjykatësi i lëndës kërkesën e tyre e ka dërguar në Gjykatën Supreme për vendim. Gruevski pohon se kërkesa për përjashtim të gjykatësve në lëndët ku është i akuzuar nuk është mënyrë e zvarritjes së proceseve. Sipas tij, ka indikacione se edhe gjykatësit kanë qenë ilegalisht të përgjuar dhe prandaj ekziston mundësia edhe ata të shantazhohen.


