Ministria e Shëndetësisë e Palestinës ka thënë se forcat izraelite e kanë qëlluar për vdekje një të ri palestinez gjatë protestave në kufirin mes Rripit të Gazës dhe Izraelit.
Zyrtarët palestinezë thanë se personi i vrarë quhej Saher Othman dhe ishte vetëm 20 vjeç. Përpos vrasjes së tij, kjo ministri tha se ushtria izraelite i ka plagosur52 persona, 27 prej të cilëve ishin të plagosur nga armët e zjarrit.
Një zëdhënëse e ushtrisë izraelite i tha agjencisë “Reuters” se trupat e vendosura përgjatë kufirit nuk i kanë përdorur armët e zjarrit. Sipas saj, rreth shtatë mijë palestinezë morën pjesë në protesta dhe ata i sulmuan ushtarët me mjete shpërthyese.
Protestat e palestinezëve kanë filluar para 18 muajve. Ata po kërkojnë që t’i jepet fund bllokadës së sigurisë, të vendosur nga Izraeli dhe Egjipti, dhe që palestinezët të kenë të drejtë të kthehen në tokat e tyre, nga të cilat familjet e tyre ishin detyruar të largohen më 1948, kur ishte themeluar shteti i Izraelit.
Izraeli e ka refuzuar një kërkesë të tillë, duke thënë se kthimi i tyre do ta eliminonte shumicën hebreje. Rreth 210 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i protestave në mars të vitit 2018, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.




