Pjesëtarët e Armatës, të paarmatosur, do të ndihmojnë institucionet dhe punonjësit shëndetësor në përballjen me situatën e krijuar nga pandemia me KOVID 19. Ushtarët do të kenë për detyrë të ruajnë rendin në spitale ose në depot ku do të mbahen materiale mjekësore. Këto janë konkluzat e nxjerra nga mbledhja e sotme e Qendrës për Menaxhimin e Kriza, ku është shqyrtuar dhe miratuar plani i Ministrisë së Shëndetësisë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
“Punohet në angazhimin e armatës për mbajtjen e rendit në objektet shëndetësore, atje ku do të kërkojë Ministria e Shëndetësisë ose në objekte të tjera strategjike nga sfera e shëndetësisë, apo në depo të caktuara ku do të kishte pajisje mjekësore. Pjesëtarët e armatës nuk do të jenë të armatosur, por do të ndihmojnë qytetarët që të mos krijohen grumbuj ose situatë kaotike”, tha Stojançe Angellov.
Pas mbledhjes së Qendrës, sot është mbledhur edhe komiteti qeveritar për menaxhim. Angellov,ka vlerësuar se në aspekt të sigurisë, situata në shtet është nën kontroll dhe popullata nuk ka nevojë të krijojë panikë. Rendi dhe qetësia sipas tij, në asnjë vend nuk janë rrezikuar, ndërsa pjesëtarët e armatës do të jenë aty për të ndihmuar punonjësit shëndetësor që pa asnjë pengesë të kryejnë obligimet e tyre.



