Të paktën 105 persona kanë ndërruar jetë në SHBA si pasojë e uraganit Helene dhe pritet që ky bilanc të thellohet edhe më tej. Të paktën 30 viktima u shënuan në vetëm një qark të Karolinës së Veriut.
Rreth 1,000 njerëz rezultojnë ende të pagjetur në qarkun Buncombe ndërsa të afërmit presin me ankth për fatin e tyre. Kryqi i Kuq Amerikan ka hapur më shumë se 140 strehimore për ata që janë detyruar të evakuohen.
Autoritet amerikane në të gjithë Karolinën e Veriut po përpiqen të rivendosin energjinë elektrike dhe të largojnë pemët e rrëzuara në qindra rrugë të mbyllura.
Ndërkohë, pika karburanti janë mbyllur në të gjithë Karolinën e Veriut duke krijuar radhë të gjata makinash.
Dëmet materiale nga uragani deri më tani ka shkuar në 110 miliardë Dollarë në mbarë vendin, por një shifër e saktë do të bëhet e qartë në ditët në vijim.
Presidenti amerikan, Joe Biden, planifikon që të vizitojë zonat e prekura gjatë kësaj jave. ‘Helene’ i cili fillimisht goditi Big Bend të Floridës dhe u zhvendos më pas në veri në Xhorxhia, Karolinën e Veriut dhe Jugut, Tenesi dhe Virxhinia duke lënë pas shkatërrim.