Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me shkollën “Idnina”, me qëllim që nxënësve t’u sigurohet mbështetje dhe kushte të përshtatshme gjatë periudhës së zhvendosjes së përkohshme, deri në përfundimin e objektit të ri shkollor.
Shkolla “Idnina” po ndërtohet nga e para, me kushte moderne dhe të përshtatura për fëmijët me nevoja të veçanta. Në kuadër të bashkëpunimit, Komuna e Çairit do të sigurojë transport falas dhe të sigurt për nxënësit nga Çairi, përdorim falas të pishinës komunale dhe sallës sportive “Shaban Tërstena”, si dhe aktivitete të përbashkëta edukative dhe sportive.
“Zhvendosja e përkohshme nuk duhet të nënkuptojë më pak mundësi për fëmijët. Deri në përfundimin e objektit të ri dhe kthimin e nxënësve në shkollën e tyre, do të sigurojmë që ata të kenë mbështetjen, hapësirat dhe aktivitetet e nevojshme për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të qenë pjesë aktive e shoqërisë. Barazia në mundësi duhet të vlejë për çdo fëmijë dhe përmes këtij Memorandumi po e shndërrojmë këtë angazhim në mbështetje konkrete”, deklaroi Mexhiti.
Memorandumi synon që gjatë periudhës së zhvendosjes nxënësve t’u mundësohet vazhdimësi në aktivitetet që kontribuojnë në zhvillimin, përfshirjen dhe mirëqenien e tyre, deri në rikthimin në objektin e ri të shkollës “Idnina”.



