Dje në departamentin e Gjuhës Angleze në Universitetin e Tetovës, u organizua trajnimi me titull “From Language to Thinking: Developing Critical Thinkers in the EFL Classroom”, një aktivitet akademik me rëndësi të veçantë, i dedikuar avancimit të praktikave bashkëkohore në mësimdhënien e gjuhës angleze. Ky trajnim mblodhi 67 mësues të gjuhës angleze nga Tetova dhe rajoni, duke krijuar një hapësirë profesionale për shkëmbim përvojash dhe zhvillim të mëtejshëm pedagogjik.
Në hapje të aktivitetit, dekania e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani, mbajti një fjalim përmbajtësor, në të cilin e trajtoi thellësisht ndërmjet të nxënit të gjuhës dhe zhvillimit të mendimit kritik në kontekstin e sfidave bashkëkohore. Ajo theksoi se mësimi i një gjuhe të huaj nuk duhet të reduktohet në përvetësimin mekanik të fjalorit dhe strukturave gramatikore, por duhet të shndërrohet në një proces që formëson mënyrën e të menduarit të nxënësve.
Duke u ndalur në rëndësinë e mendimit kritik, Prof. Dr. Emine Shabani nënvizoi se përmes përballjes me tekste dhe perspektiva të ndryshme kulturore, nxënësit zhvillojnë aftësinë për të analizuar, krahasuar dhe reflektuar, duke kaluar përtej të mësuarit sipërfaqësor. Ajo theksoi se roli i mësuesit është thelbësor në orientimin e këtij procesi drejt një të menduari të pavarur dhe të argumentuar.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua ndikimit në rritje të inteligjencës artificiale në procesin e të nxënit. Duke iu referuar studimeve të realizuara në institucione prestigjioze ndërkombëtare, dekania e Fakultetit Filologjik ngriti shqetësimin se përdorimi i pakontrolluar i mjeteve të inteligjencës artificiale mund të ndikojë në uljen e angazhimit kognitiv të nxënësve dhe në dobësimin e aftësive krijuese dhe analitike. Sipas saj, varësia nga përgjigjet e gatshme rrezikon të krijojë një formë të “përtacisë metakognitive”, duke e bërë më të vështirë prodhimin e ideve origjinale dhe zhvillimin e mendimit të pavarur.
Në këtë kontekst, ajo theksoi nevojën për një qasje të balancuar ndaj teknologjisë, duke e konsideruar inteligjencën artificiale si një mjet ndihmës dhe jo zëvendësues të procesit të të menduarit. “Sfidojeni së pari veten, pastaj përdoreni teknologjinë si mbështetje”, ishte një nga mesazhet kyçe të saj, duke apeluar për ruajtjen e aktivizimit intelektual dhe kreativitetit njerëzor.
Në vijim të aktivitetit, Prof. Dr. Florim Ajdini nënvizoi se ndërtimi i mendimtarëve kritikë në kuadër të mësimdhënies së gjuhës angleze kërkon një zhvendosje të qartë nga memorizimi mekanik drejt zhvillimit të aftësive të analizës, vlerësimit dhe sintezës. Ai theksoi rëndësinë e përdorimit të pyetjeve të hapura sokratike, debateve bashkëpunuese, problemeve reale dhe detyrave reflektuese si mjete kyçe për nxitjen e të menduarit kritik.
Një dimension i veçantë kulturor iu shtua aktivitetit përmes interpretimit artistik të një fragmenti nga drama “Macbeth” e William Shakespeare, realizuar nga studentët e departamentit të Gjuhës Angleze: Agnesa Rexhepi, Enisa Amzai, Elma Mazllami dhe Iknura Bahtijareska. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Angleze dhe Ditës së Shekspirit, duke i dhënë ngjarjes një karakter të theksuar akademik dhe kulturor.
Sesionet e trajnimit u udhëhoqën nga një ekip pedagogësh amerikanë: Larry Blair, Dawn Blair, Richard Parlier, Jessica Parlier, si dhe Fulbright ETA në Universitetin e Tetovës, Michelle Morgan. Përmes një qasjeje interaktive dhe të orientuar drejt praktikës, trajnerët prezantuan strategji dhe aktivitete konkrete për zhvillimin e mendimit kritik tek nxënës të grup-moshave të ndryshme.
Ky trajnim përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies së gjuhës angleze dhe në forcimin e rolit të mendimit kritik si një kompetencë thelbësore në arsimin bashkëkohor.


