Saga e problemeve të mbi 1000 medresantëve në Republikën e Maqedonisë Veriore vazhdon. Si duket askush nuk është i interesuar që në mënyrë institucionale të zgjidh njëherë e përgjithmonë problemin e tyre.
Portali Almakos disa herë iu është kthyer problemit të medresantëve dhe ka hasur në veshë të shurdhër nga institucionet kompetente si dhe në frikë nga një numër i medresantëve dhe prindërve për të dhënë deklaratë.
Në faqen zyrtare të medresesë Isa Beu, shkruan: “Shkolla e Mesme Islame “Medreseja Isa Beu” është shkollë e orientuar profesionale dhe bën pjesë në rangun e shkollave të mesme. Si shkollë qendrore është e locuar në fshatin Kondovë, komuna e Sarajit në pjesën perëndimore të Shkupit. Vepron si shkollë e vetme edhe për djem edhe për vajza në tërë territorin e R.Maqedonisë me paralelet e saja në: Shkup,Tetovë,Gostivar dhe Shtip.” Në të nuk mund të gjesh as edhe një shkronjë të vetme për akreditimin e kësaj medreseje dhe për fatin e medresantëve pas përfundimit të kësaj shkolle profesionale dhe pyetjen konkrete: A munden që medresantët pas përfundimit të medresesë si krejt nxënësit tjerë të Maqedonisë Veriore të regjistrohen në Universitetet Publike dhe Private?
Pyetjen për numrin e medresantëve të pranuar në Universitetet Publike dhe Private jashtë Fakultetit të Shkencave Islame ia drejtuam sekretarit të medresesë, Lutfi Xhemaili, i cili deri në momentin e publikimit të kësaj teme nuk na është përgjigjur.
Pyetjen e njëjtë ia drejtuam edhe drejtorit të cështjeve arsimore në BFI, Jusuf Zimeri, i cili edhe përskaj asaj që e ka parë përgjigjen, por nuk ka gjetur mundësinë për të kthyer një përgjigje.
Pyetjen ia drejtuam edhe myftiut të Shkupit, dr.Qenan Ismaili. Qenan Ismaili na drejtoi te Rijaseti i BFI-së.
Para disa kohësh patëm kontaktuar me drejtorin e medresesë “Isa Beu”, Ibrahim Idrizi, i cilit na pat thënë se ata vecse kanë arritur t`i regjistrojnë disa medresant, por këtë problem ende nuk e kanë zgjidhur përfundimisht.
“Bashkësia Islame është në bisedime direkte me qeverinë e Republikës së Maqedonisë Veriore. Nuk e di saktë deri ku kanë arritur bisedimet, por e di se ne disa medresant kemi arritur që t`i regjistrojmë në universitete të ndryshme”, deklaroi Ibrahim Idrizi për portalin Almakos. Kjo deklaratë është dhënë me datën 02.04.2019.
Portali Almakos provoi që të kontaktoj edhe me kabinetin e ministrit të arsimit dhe shkencës, Arbër Ademi, por ende deri në momentin e publikimit të kësaj teme nuk na është kthyer përgjigje.
Nga Universiteti i Tetovës na u përgjigjën zyrtarisht se në afatin e parë dhe të dytë nuk është regjistruar asnjë medresant.
Arsyeja e mosregjistrimit të medresantëve, sipas UT-së, është mungesa e dhënies së maturës shtetërore që parashikohet me ligj.
“Në vitin akademik 2019/20, në afatin e parë dhe të dytë në Universitetin e Tetovës nuk është regjistruar asnjë nxënës me shkollim të mesëm të Medresesë, për shkak se sipas nenit 134 të Ligjit për arsim të lartë të RM-së (Gazeta Zyrtare nr.82/2018), të drejtën e regjistrimit në studimet e ciklit parë mund ta realizojë personi i cili e ka kaluar maturën shtetërore apo maturën ndërkombëtare ose që e ka përfunduar arsimin e mesëm katërvjeçar sipas rregullave para se të vendoset matura shtetërore.
Urojmë që situata e pakëndshme e kësaj kategorie të nxënësve të tejkalohet në dobi të ecurisë së tyre arsimore.”, thuan nga Zyra për Informim e Universitetit të Tetovës për portalin Almakos.
Nga Universiteti i Evropës Juglindore na u përgjigjën zyrtarisht se në afatin e parë janë paraqitur tre medresant për t`u regjistruar, por pasi që nuk e kanë dhënë maturën shtetërore ata nuk janë pranuar.
Arsyeja e mosregjistrimit të medresantëve, sipas UEJL-së, është mungesa e dhënies së maturës shtetërore që parashikohet me ligj.
“Ne lidhje me pyetjen tuaj, ju njoftojme se ne afatin e pare per regjistrimi ne vitin akademik 2019-2020 ne studime derdiplomike, kishim gjithsej tre aplikues medresant.
Te njejtit nuk jane pranuar per shkak se nuk kane mature shteterore – obligim ligjor – sipas Ligjit per arsim te larte.”, thuan nga Zyra për Informim e Univerzitetit të Evropës Juglindore për portalin Almakos.
Hamdi Nuhiju/Almakos/



