Mbrëmjen e kaluar, në Stacionin Policor në Qendër, në bisedë informative pas tubimit të madh në sheshin “Maqedonia”, janë ftuar kryeredaktori i TV21, Eroll Shakiri dhe gazetari dhe redaktori i lajmeve, Jovica Paunoski, që policia tha se ata kanë shkuar “live” me pamje nga droni i cili ka rënduar më shumë se sa lejohet. Në lidhje me këtë, ka reaguar Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, që siç thonë, është akt i rëndë cenues i lirisë për raportim dhe informim. UGSH u shpreh e shqetësuar dhe tha se solidarizohen me organizatat vendore të gazetarëve në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që, për ftesën nga ana e policisë e kryeredaktorit të TV21, Eroll Shakiri dhe gazetarin-redaktor i lajmeve, Jovica Paunoski, e konsideruan, një akt presioni dhe kufizimi si dhe mjet intimidimi shtetëror ndaj mediave dhe gazetarëve të pavarur.
“Thirrja për shpjegime nga autoritetet policore dhe Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kombëtare në Maqedoni e gazetarëve që filmojnë me dron, është akt i rëndë cënues i lirisë për raportim dhe informim
Tiranë më 19 Mars 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh shqetësimin dhe deklaron solidaritetin e plotë me organizatat vendore të gazetarëve në Maqedoninë e Veriut për thirrjen e gazetarëve, sipas deklarimit të mediave dhe SHGM dhe SPGPM, në bisedë informative të përfaqësuesve të mediave, pas protestës së një nate më parë, në Shkup.
Një vendim i vonuar i autoriteteve, shpallte të ndaluar përdorimin e dronëve prej reporterëve dhe mediave, për raportimin e pamjeve reale të protestës qytetare, ndaj autorëve dhe përgjegjësve të tragjedisë, ku gjetën vdekjen 60 persona dhe u plagosën një numër i madh të rinjsh.
UGSH u bashkohet kërkesave dhe apelit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, se autoritetet e policisë dhe Agjencisë zyrtare të Sigurisë Kombëtare në Shkup, duhet t’u përmbahen dispozitave ligjore.
Denoncimet dhe kërkesat publike të kolegëve tanë në Maqedoninë e Veriut, meritojnë të respektohen dhe mbrohen konform kushtetutës dhe lirive themelore për lirinë e shprehjes dhe të raportimit. Çdo mase tjetër penguese dhe kufizuese bie ndesh me këto parime dhe legjislacionin e një vendi që është kandidat për anëtar i BE-së.!
UGSH, sikundër edhe organizatat vendore të gazetarëve në vendin fqinj, kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia për Siguri Kombëtare të japin sqarime të qarta për çështjet e kufizimit dhe privimit për raportim të lirë.
Ftesa në Stacionin Policor në Qendër Shkup, për kryeredaktorin e TV21, Eroll Shakiri dhe gazetarin-redaktor i lajmeve, Jovica Paunoski, konsiderohen prej nesh, një akt presioni dhe kufizimi si dhe mjet intimidimi shtetëror ndaj mediave dhe gazetarëve të pavarur”, thotë Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.