Maqedonia e Veriut po përjeton ndryshime të konsiderueshme demografike, me një rënie prej 18 përqind të popullsisë së fëmijëve nga viti 2011 deri në vitin 2023 dhe një shkallë të ulët fertiliteti prej 1.5 përqind, duke treguar një popullsi në tkurrje.
Kjo u veçua në prezentimin e UNICEF-it, “Analiza e situatës së fëmijëve dhe adoleshentëve në Maqedoninë e Veriut 2024”. Më tej thuhet se shkalla e vdekshmërisë neonatale ka rënë nga 5.2 për 1000 lindje të gjalla në vitin 2016 në 1.8 në vitin 2023, ndërsa shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve nën pesë vjeç ka rënë në 2.7 për 1000 lindje në vitin 2023, që megjithatë është nën mesataren e rajonit dhe atë të BE-së.
“Shkalla e fertilitetit në vitin 2022 ishte relativisht e ulët, rreth 1.5 fëmijë për grua, gjë që është nën përmasën e duhur për zëvendësim të popullsisë, e vlerësuar në 2.1 për vendet në zhvillim dhe si e tillë rezulton në rënie të popullsisë. Tendencat e migracionit sinjalizojnë migrimin jashtë vendit, veçanërisht në mesin e të rinjve midis 20 dhe 39 vjeç, i nxitur nga mundësitë ekonomike në vendet tjera, gjegjësisht standardi më i mirë i jetesës”, tha Silvia Kiaruçi, UNICEF.
Fëmijët me kushte më të vështira për jetesë dhe diskriminim thuajse në çdo fushë janë fëmijët rom, nënvizohet në këtë analizë. Këtë e dëshmojnë edhe nga Komisioni Antikorrupsion ku tashmë kanë marrë dhjetra ankesa për mos miratim të planeve detale urbanistike kur bëhet fjalë për këtë popullatë.
“Vlerësoj se komuna të tilla janë 17 ku shteti duhet të veproj një orë më parë bashkë me pushtetin lokal, ti ndryshojnë Planet Detale Urbanistike dhe të përpiqen të bëjnë urbanizimin sepse të gjitha tentimet që I bën shteti ndaj fëmijëve romë, nëse nuk kanë ku të kthehen në shtëpi të përshtatshme dhe nuk kanë ku të mbajnë higjienën personale dhe të krijojnë shprehi të shëndetshme vlerësoj se janë të kota”, u shpreh Dushan Tomshiq, Komisioni Antikorrupsion.
Gjithashtu, analiza nxori në pah se cilësia e arsimit në Maqedoninë e Veriut mbetet një shqetësim i madh pasi vlerësimet nacionale dhe ndërkombëtare tregojnë rënie të rezultateve arsimore, me rezultate mesatare më të ulëta në lëndët bazë.
Nxënësit e Maqedonisë së Veriut kanë arritur rezultat nën mesataren e Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik ECD-së në matematikë, lexim dhe shkencë në testimin mbi Programin për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve (PISA). Vetëm 34 për qind e nxënësve e kanë arritur të paktën aftësinë e Nivelit 2 në matematikë krahasuar me mesataren e OECD prej 69 për qind. Në mënyrë të ngjashme, vetëm 26 për qind e nxënësve e kanë arritur këtë nivel në lexim krahasuar me mesataren e OECD 74 për qind, ndërsa 35 për qind e kanë arritur këtë nivel në shkencë krahasuar me mesataren e OECD 76 për qind. /Alsat/