Brukseli.
Nga Maqedonia 316 persona kanë aplikuar për azil muajin e kaluar ndërsa në janar dhe në shkurt ky numër ishte 600, informon Zyra Evropiane për azil, EASO.
Nga 316-të kërkesat, 229 janë kërkesa të para, të tjerat janë aplikacione të përsëritura për azil.
Sa u takon vendimeve për ndarjen e statusit refugjat, gjendja është pothuajse e pandryshuar për Maqedoninë: numri më i madh i kërkesave edhe më tej refuzohen, pasi vendi konsiderohet i sigurt.
Në mars, zyrat për azil në BE i kanë refuzuar 454 kërkesa për azil prej shtetasve të Maqedonisë ndërsa gjashtë personave u është miratuar statusi i refugjatit.
Një e dhjeta e kërkesave për azil janë kërkesa të përsëritura, gjegjësisht persona të cilët të paktën njëherë janë refuzuar dhe zakonisht ata janë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Në përgjithësi, trendet për muajin mars tregojnë rritje të vogël të kërkesave për azil në mbarë BE-në në krahasim me shkurtin dhe rritje të konsiderueshme në raport me muajin mars vitin e kaluar.
“Një proporcion i madh i aplikacioneve të regjistruara në mars vijnë prej personave të cilëve nuk u nevojiten viza për hyrje në Zonën e Shengenit”, kumtoi Zyra për azil, si Venezuela, Kolumbia, Shqipëria dhe Gjeorgjia.
Kryesisht, azilkërkuesit në BE janë nga Siria, Venezuela dhe Afganistani ndërsa rritje më të madhe shënon pikërisht Afganistani, ndërsa shtetasit e Venezuelës për të dytin muaj me radhë shënojnë numër rekord të aplikacioneve për statusin e refugjatëve në Evropë. Kërkesat nga Siria mbeten stabile.
Shtatë vendet e tjera në krye të listës me kërkesa më të mëdha janë Iraku, Kolumbia, Nigeria, Pakistani, Irani, Shqipëria dhe Gjeorgjia.
Veçanërisht potencohet rritja e refugjatëve nga Kolumbia, numër i rritur për 32 për qind në krahasim me shkurtin.