Analizat e fundit kanë treguar se Uji në Banjën e Tetovës është i pijshëm. Analizat janë bërë para 15 ditëve dhe nga Qendra për Shëndet Publik bëjnë të ditur se qytetarët mund të konsumojnë ujin për pije, por jo në sasi të madhe, respektivisht maksimum një deri në dy gota brenda ditës. Mjekët thonë se uji mineral nuk është zëvendësim në organizëm për ujin tjetër normal.
“Udhëzimet tona janë se uji mineral nuk është zëvendësim në organizëm për ujin tjetër që e shfrytëzojmë çdo ditë. Kur uji mineral është në gjendje normale me të gjitha parametrat, rekomandimet tona janë se i njëjti duhet që të konsumohet maksimum një ose dy gota brenda ditës dhe jo të jetë zëvendësim për ujin e thjeshtë”, deklaroi mjeku Ratko Davidovski. Ai shprehet se sërish do të kryhen analiza për gjendjen me ujin mineral për të parë se a ka ndotje të ujit nga reshjet e fundit atmosferike. Edhe pse deri më tash nuk është vërtetuar se uji në Banjat e Tetovës ka veti shëruese megjithatë banorët e Tetovës, por edhe të rrethinës e përdorin për sëmundje të ndryshme të lëkurës.
Për shkak të konsumimit të ujit mineral në Banjat e Tetovës nga shumë banorë jo vetëm të Pollogut por edhe të qyteteve tjera ekipet e Entit për Mbrojtje të Shëndetit në Tetovë vazhdimisht kryejnë kontrolle të ujit. Tek popullata besohet se uji i këtyre banjave mund të shërojë sëmundjet e lukthit dhe sëmundjeve të ndryshme të lëkurës. Vizitorët e këtyre banjave theksojnë se nevojitet që shteti por qoftë edhe komuna që të investojnë edhe më shumë në këtë vend. Në qendrën rekreative Banja e Tetovës, viteve të fundit vërehet një frekuentim më i madh i qytetarëve, të cilët krahas rekreimit poashtu edhe mbushin ujë mineral. Në pjesët tjera të Banjës së Tetovës uji mineral nuk është i pijshëm dhe u rekomandohet qytetarëve që këta burime tjera të mos përdoren.
Ndryshe, Banjat e Tetovës, që është larg jo më shumë se 5 kilometra nga qendra e Tetovës është një nga vendet më të vizituara gjatë vikendeve por edhe gjatë ditëve të tjera për rekreim dhe frekuentohet me të madhe nga qytetarët e Tetovës dhe më gjerë. Me përmirësimet që janë në infrastrukturë viteve të fundit, duke përfshirë trotuarin dhe ndriçimin publik, me hapjen e bizneseve të ndryshme, ky vend është rikthyer në një atraksion të vërtetë për banorët e Tetovës, të cilëve vendet e kësaj natyre u mungojnë. (koha.mk)