Shkolla “Rilindja” në të cilën mësojnë nxënës nga fshatrat Llojan dhe Vaksincë, nuk ka ujë për pije!
Drejtori i shkollës, Idriz Sulejmani, thekson se uji që vjen përmes rrjetit ujësjellës nuk është i sigurt, ndërsa shpjegon se i kontaminuar është edhe uji nga pusi, i cili ndonjëherë përdoret nga nxënësit.
“Nuk e kemi atë qe duhet ta kemi si çdo shkollë që e kanë ujin e sigurt, na s’kemi ujë ku me marr ujë. Institucionet të cilët e vëzhgojnë d.m.th punën e ujit në shkollë çdoherë nga 2-3 herë vit ato e kontrollojnë ujin, uji është kancerogjen”, tregon Sulejmani.
Sulejmani pohon se nga Komuna e Likovës kanë premtuar se brenda vitit do të zgjidhet ky problem. Profesori Afrim Zimeri tregon se uji është me përbërje të arsenit, ndërsa ekziston rrezik që këtë lëndë erërat ta bartin në tokat pjellore.
“Përbërja e arsenit në ujë është 50 % më tepër se sa është e lejuar me norma ndërkombëtare. Meqenëse shumë banor të vendbanimit tonë fshatit Llojan me ujë të pijshëm shërbehen nga puset d.m.th. ai ujë përmban arsen dhe shkakton sëmundje kancerogjene. Ekziston rreziku permanent se erërat e mbartin arsenin dhe e shtresojnë në tokat pjellore në lindje të fshatit ku dihet mirëfilli se këto toka pjellore banorët e këtyre fshatrave i mbjellin me kultura të ndryshme”, sqaron Zimeri.
Doktori Bedri Veliu nga Qendra e Shëndetit Publik tha për TV21 se uji nuk pihet për shkak të sasisë së lartë të nitrateve, e që janë kancerogjene nëse konsumohen për kohë të gjatë.
“Analizat e fundit janë bërë 29.12.2021. Ky ujë nuk ka qenë i pijshëm në bazë të analizave të cilat kanë treguar se nitratet kanë qenë të rritura d.m.th nitratet janë të lejuara deri në 50mg/l ndërsa këtu janë 190mg/l për atë kemi lajmëruar shkollën që ky ujë nuk është i pijshëm”, tregon Veliu.
Nga Komuna e Likovës thonë se po kryhen punët ndërtimore të ujësjellësit që kontakti i xeheve me tokën dhe ujin të eliminohet dhe kështu të përdoret uji i pendës së Likovës për pije. Në Komunën e Likovës është ndërtuar stacioni pastrues që ka kushtuar 1,1 milion euro dhe objekt sedimental për kullim të ujit që ka kushtuar 700 mijë euro./TV21/