Kompania ajrore “Air Albania” ka reaguar lidhur me skandalin që ka vijuar nga dita e djeshme, ku pasagjerët shqiptarë u braktisën në aeroportin e Milanos, të cilët kishin destinacion Tiranën.
Përmes një postimi në rrjete sociale, “Air Albania” u shpreh se anulimi i fluturimit ka ndodhur për shkaqe teknike, ndaj për sigurinë e pasagjerëve nuk u bë nisja.
Sipas njoftimit të kompanisë ajrore, pasagjerët janë informuar mbi situatën e ndodhur dhe se ata do të fluturojnë ditën e sotme nga Milano drejt Tiranës.
REAGIMI:
Air Albania dëshiron të njoftojë të gjithë pasagjerët që operacionet vazhdojnë me të njëjtin ritëm energjik, ku vetëm në këtë sezon fluturimesh kemi regjistruar shifra të reja mbi pritshmëritë vjetore.
Në përgjigje të publikimit në një media të një situate anulimi e cila ka ndodhur për shkaqe teknike në fushën e aviacionit, gjejmë rastin të sqarojmë publikun se pasagjerët tanë të fluturimit ZB2004 nga Milano në Tiranë në datën 11 tetor, janë trajtuar në përputhshmëri me të drejtat e pasagjerëve, Rregullorja (EC) 261/2004.
Pas një problemi teknik dhe duke pasur në fokus sigurinë e pasagjerëve ne u detyruam të anullojmë fluturimin.
Pasagjerët janë mbajtur të informuar nga stafi i Air Albania dhe gjithashtu do të fluturojnë ditën e sotme nga Milano në Tiranë.
Por të kundërtën kanë treguar orët e para të mëngjesit disa prej pasagjerëve, të cilët denoncuan pranë redaksisë së Neës 24 gjendjen në të cilën ndodheshin.
Ata denoncuan kompaninë për arrogancë teksa nuk ka dhënë shpjegime për anulimin e fluturimit dhe as për rrethanat. Avioni i linjës Milano-Tiranë ka braktisur pasagjerët, pasi i ka lënë për orë me radhë të presin, në nisje të fluturimit dhe në fund është anuluar. Fluturimi ishte parashikuar për në orën 16.50, por është shtyrë për në orën 20.30. Edhe pse pasagjerët janë embarkuar në bordin e avionit, ata janë lënë të presin për 2 orë, ndërsa askush nga kompania nuk i ka sqaruar.
Pasi kanë qëndruar 2 orë të bllokuar në avion, ata kanë zbritur por askush nuk iu ka thënë se kur do të bëhet fluturimi me destinacion Tiranën.
Prej më shumë se 12 orësh pasagjerët janë gjendur në ankth se si do të vijojë fluturimi i tyre, pasi mes tyre kishte dhe të moshuar e fëmijë të vegjël.
Përtej pritjes, udhëtarët u shprehën se kompania nuk u ka dhënë asnjë sqarim për situatën, duke i denocnuar kështu për arrogancë ndaj klientëve të tyre.
Një nga pasagjerët, Sefedin Matraçi i cili mbrëmë do të udhëtonte me Air Albania në drejtim të Tiranës, nga aeroporti i Milanos, tregoi se si kompania ajrore shqiptare i braktisi ata në aeroportin Malpensa.
“Avioni duhej të nisej në orën 16.50. Kur kemi mbërritur në aeroport nuk ishte hapur check-ini dhe askush nuk na përgjigjej. Pasi kemi qëndruar për orë të tëra në pritje, na thonë se do nisemi në orën 20.30. Por do niseshim jo me avionin e Air Albania, por me Turkish Airlines. Pasi kemi kalur në check-in, jemi futur në avion dhe na kanë lënë në pritje për më shumë se 2 orë. Piloti dhe stafi i avionit na thonin se nuk kishin leje nga kulla e kontrollit për t’u nisur. Kemi telefonuar sërish kompaninë dhe tha thanë që avioni nga Tirana nuk ka mbërritur pasi kishte turbulenca. Por na gënjyen sepse punonjësit e aeroportit na njoftuan se kompania Air Albania nuk kishte paguar taksat aeroportuale. Dhe deri në datën 18 tetor nuk do të ketë fluturime në aeroportet e Italisë. Kam 21 vjet që udhëtoj dhe s’më ka ndodhur asnjëherë. Këtu ka fëmijë, ka të moshuar. Jemi 50-60 pasagjerë.”
Kompania ajrore “Air Albania” është në pronësi të qeverisë shqiptare dhe me aksioner biznesmenin, Sinan Idrizi.