Udhëheqësit e Italisë, Gjermanisë, Francës dhe Finlandës dhe presidentja e Komisionit Evropian kanë folur rreth bisedës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin në mbrëmjen e 19 majit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen falënderoi Trump në X për “përpjekjet e tij të palodhura për të sjellë një armëpushim në Ukrainë”.
“Është e rëndësishme që SHBA-të të mbeten të angazhuara. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Volodymyr Zelensky për të arritur paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, shtoi ajo.
Presidenti finlandez Alexander Stubb vuri në dukje se udhëheqësit kishin diskutuar negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë, armëpushimin dhe hapat drejt një “paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
“Është e rëndësishme të vazhdohet koordinimi i ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Finlanda vazhdon të mbështesë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shkroi Stubb në X.
Zyra e kancelarit gjerman Friedrich Merz, deklaroi se Trump dhe partnerët evropianë “ranë dakord për hapat e ardhshëm” gjatë bisedës.
“Ata ranë dakord të koordinojnë nga afër procesin e negociatave dhe të përpiqen të zhvillojnë një takim tjetër teknik. Pjesëmarrësit evropianë njoftuan se do të rrisin presionin mbi palën ruse përmes sanksioneve”, thuhej në deklaratë.