Ish-kryeministri i Nepalit, Khadga Prasad Sharma Oli, është arrestuar dhe më pas dërguar në spital, pas akuzave se shtypi protestat vitin e kaluar me pasojë dhjetëra të vdekur.
Sipas zyrtarëve, Oli u shtrua në një klinikë në Kathmandu menjëherë pas arrestimit në banesën e tij në orët e para të mëngjesit të së shtunës, si pjesë e procedurave rutinë policore.
Më shumë se 70 persona humbën jetën gjatë trazirave të shtatorit, shumë prej tyre protestues të qëlluar nga policia. Protestat u nxitën fillimisht nga ndalimi i rrjeteve sociale, por u përshkallëzuan për shkak të pakënaqësive ndaj korrupsionit dhe gjendjes ekonomike.
Po të shtunën u arrestua edhe ish-ministri i Brendshëm, Ramesh Lekhak, pasi një komision hetimor rekomandoi që të dy të ndiqen penalisht për neglizhencë kriminale.
Oli, 74 vjeç, u mbajt në spital në pritje të rezultateve të analizave mjekësore, duke marrë parasysh moshën dhe historinë e tij shëndetësore, përfshirë dy transplante të veshkave.
Arrestimet vijnë një ditë pasi kryeministri i ri, Balen Shah, u betua në detyrë pas zgjedhjeve të parakohshme të shkaktuara nga kriza politike.
Zëdhënësi i policisë së Luginës së Katmandusë deklaroi se procedurat do të vazhdojnë sipas ligjit, ndërsa deri më tani ndaj Olit dhe Lekhakut nuk janë ngritur akuza zyrtare.
Oli ka kundërshtuar më herët gjetjet e komisionit, duke i cilësuar ato si “sulm ndaj karakterit dhe politikë urrejtjeje”. Ndërkohë, avokatët e tij e konsiderojnë arrestimin të pajustifikuar, duke argumentuar se nuk ekziston rrezik që ai të arratiset apo të shmangë hetimet.
Mbështetësit e partisë së tij kanë nisur protesta në Kathmandu, ndërsa drejtuesit e saj kanë paralajmëruar demonstrata në mbarë vendin.
Familjet e viktimave kanë kërkuar prej muajsh që përgjegjësit të mbahen para drejtësisë.


