Është kërcënuar Blendi Hodai, drejtor i Forumit për Ndryshime në Arsim, pasi pak ditë më parë organizata që ai drejton denoncoi një rast të dyshuar për avancim të kundërligjshëm në Universitetin e Tetovës. Hodai bëri të ditur se ka raportuar një person në Policinë e Tetovës për kërcënime që lidhen me publikimin e këtij rasti, duke theksuar se institucionet do të merren me çdo tentativë për presion ndaj tij, familjes apo bashkëpunëtorëve, transmeton Portalb.mk.
“Sapo paraqita një kërcënues ordiner në Stacionin e Policisë në Tetovë, në lidhje me rastin e fundit që e kemi publikuar. Organet e rendit do të merren me secilin që këto ditë merr guximin të më kërcënojë mua, familjen time apo kolegët e mi. Ju e dini fort mirë që me mua kërcënimet nuk funksionojnë. Sa më shumë të kërcënoni, aq më e qartë bëhet se kemi prekur diçka që ju dhemb. Të vërtetën do ta nxjerrim deri në fund. Ama mos e provoni më me familjen time — kjo është vijë e kuqe që nuk kalohet”, shkroi Hodai në Facebook.
Forumi për Ndryshime në Arsim gjithashtu doli me një deklaratë zyrtare, ku thonë se platformat e tyre dhe profilet personale të stafit janë shndërruar në shënjestër “të një fushate me qëllim të frikësimit, kërcënimit dhe denigrimit menjëherë pas denoncimit publik të avancimit të kundërligjshëm të Arbresha Bexheti Ferati, bashkëshortes së kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës, Kenan Ferati”.=
Dje natën, gjërat shkuan më larg. Një individ, përmes profileve të rreme por edhe nga profili i tij origjinal, dërgoi mesazhe fyese e kërcënuese deri te familjarët e drejtorit ekzekutiv të FNA-së, Blendi Hodai. Njoftojmë opinionin publik dhe të gjithë ata që kanë ndërmend të ndjekin rrugë të ngjashme: Të gjitha rastet janë denoncuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë. Të gjitha masat e nevojshme po ndërmerren për zbardhjen e rastit. Kërcënimet te ne nuk pinë ujë. Universiteti i Tetovës do të çlirohet nga krimi dhe kriminelët akademikë”, thonë nga FNA.
Rasti i denoncuar nga Forumi për Ndryshime në Arsim ka të bëjë me avancimin akademik të Arbresha Bexheti Ferati në Fakultetin e Mjekësisë, për të cilin FNA thotë se është realizuar në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe statutare. Sipas tyre, procesi është mundësuar nga struktura të ndryshme brenda universitetit, përfshirë Këshillin Shkencor, Senatin dhe komisionin recensues.
Nga ana tjetër, dekani i Fakultetit të Mjekësisë,Nevzat Elezi, ka deklaruar se procedura ende nuk ka përfunduar.
Sipas pretendimeve, janë evidentuar një sërë shkeljesh, përfshirë shpalljen e konkursit pa kompetencë të plotë ligjore, mospërputhje në përbërjen e komisionit recensues dhe mungesë dokumentacioni të plotë për kualifikimet e kandidates. Po ashtu, është ngritur shqetësimi për konflikt interesi, pasi Kenan Ferati, kryetar i Senatit të universitetit, është bashkëshorti i saj.
Hodai ka kërkuar që rasti të hetohet nga organet kompetente, ndërsa i ka bërë thirrje edhe Prokurorisë Publike të shqyrtojë mundësinë e shkeljeve penale, përfshirë keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe falsifikimin e dokumenteve.
Ndërkohë, Forumi për Ndryshime në Arsim kërkon anulimin e avancimit dhe verifikim të plotë të procedurës, si dhe përgjegjësi institucionale nga drejtuesit e universitetit.


