Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi në banesën e tyre është gjetur një sasi lënde narkotike.
Policia njofton se në pranga janë vendosur shtetasit me iniciale H.D. 46 vjeçc dhe K.L. 20 vjeç. Gjithashtu është proceduar penalisht dhe shtetasi G.Sh. 47 vjeç.
Ata janë arrestuar brenda banesës së 46-vjeçarit H.D. ku gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe një sasi lënde narkotike.
Pasi e siguronin kanabisin, e ndanin në doza të vogla dhe e shisnin. Policia ka proceduar dhe shtetasin R. L., 28 vjeç pasi gjatë arrestimit të shtetasve të mësipërm, i riu ka kundërshtuar policinë për të mos prangosur vëllain e tij, K.L.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Wednesday”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.
Vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht dy shtetas të tjerë. Sekuestrohet një sasi lëndë narkotike cannabis sativa.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, se disa shtetas shpërndanin lëndë narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Wednesday”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– H. D., 46 vjeç dhe K. L., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u procedua penalisht shtetasi G. Sh., 47 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H. D., i cili ishte së bashku me shtetasit K. L. dhe G. Sh., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa, e shisnin atë në doza të vogla, në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u procedua penalisht R. L., 28 vjeç, pasi ka kundërshtuar punonjësin e Policisë të Komisariatit Nr. 1., që të mos arrestonte vëllain e tij, shtetasin K. L.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



