Një 55-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident të rëndë në punë, mëngjesin e së hënës, në zonën Dafnes të Heraklionit.
Sipas mediave vendase, viktima po punonte në një rezervuar të ujërave të zeza të menaxhuar nga një kontraktor privat. Ai kishte shkuar në vendngjarje së bashku me një koleg për të kontrolluar nivelin e ujërave, i cili kishte tejkaluar normat e lejuara.
Në një moment, kolegu i tij humbi kontaktin vizual dhe menjëherë njoftoi autoritetet. Zjarrfikësit arritën në vendngjarje, duke e nxjerrë 55-vjeçarin pa shenja jete nga rezervuari. Dyshohet se ai ka rënë brenda pa u vënë re, dhe sipas raportimeve paraprake, nëse ngjarja do të ishte konstatuar në kohë, ai mund të ishte shpëtuar.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.