Procedurën gjyqësore për rastin e vrasjes së 4 vjeçarit nga Kumanova, Almir Aliu, sipas burimeve të Alsat-m, do ta udhëheqë gjykatësja Maja Denkovska, e cila në Gjykatën Themelore në Kumanovë punon prej vitit 1997, transmeton Portalb.mk.
Denkovska është e njohur si gjyqtarja që e ka udhëhequr edhe rastin e vrasjes së Xhemail Rexhepit, i njohur si komandant Shqiponja.
Ndryshe, Almir Aliu nga Kumanova ndërroi jetë më 1 korrik të 2016, si rezultat i goditjes së qëllimshme me veturë nga Boban Iliç, pas një zënke afër Spitalit të Kumanovës. Edhe në videon që përbën provë materiale për rastin, vërehet se i dyshuari Boban Iliç e ka kryer aktin në prani të prindërve të Almirit. Ende nuk dihen motivet zyrtare, por referuar deklaratave të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, aktit i ka paraprirë një zënkë mes babait të Almirit dhe Boban Iliçit, bashkë më vëllain e tij Bojan Iliç.
Prokuroria Themelore e Kumanovës e ka dorëzuar aktakuzën ku vepra është kualifikuar si vrasje, dhe si e tillë, për të parashikohet dënim nga 10 vjet deri në burg të përjetshëm.